Maqedoni
Dita Botërore e Ujit, Nuredini: Qasja te uji, e drejtë themelore e njeriut
22.03.2022 14:04
Qasja deri te uji është e drejtë themelore e njeriut, prandaj e kemi obligimi që t’u sigurojmë ujë të gjithë qytetarëve...

Qasja deri te uji është e drejtë themelore e njeriut, prandaj e kemi obligimi që t’u sigurojmë ujë të gjithë qytetarëve. Kështu deklaroi ministri i ambientit, Naser Nuredini, me rastin e Ditës Botërore të Ujit, duke përkujtuar se miliarda njerëz në botë jetojnë pa qasje deri te uji i sigurt për pije.
“Ashtu siç planeti përshtatet në ndryshimet klimatike dhe rritjen e popullsisë është i pashmangshëm fakti se ujërat nëntokësore do të kenë rol gjithnjë e më të madh në sigurimin e kërkesës në rritje për ushqim dhe ujë për pije. Megjithatë ky resurs elementar natyror po përballet me rreziqe serioze përfshi mbrojtjen joadekuate dhe ndonjëherë humbjen e pakthyeshme.”,- deklaroi ministri i ambientit, Naser Nuredini.
Nuredini tha se Ministria një kohë të gjatë po punon në hulumtimin, grumbullimin e të dhënave, vendosjen e regjistrit të ujërave nëntokësorë, mbrojtjen e burimeve, nëpërmjet vendosjes së zonave mbrojtëse sanitare. Prioritet i Ministrisë së Ambientit është vendosja e sistemeve furnizuese me ujë dhe sisteme për ujërat fekale në çdo vendbanim, për çka ndahen edhe shuma të konsiderueshme të mjeteve buxhetore, tha ministri Nuredini.
Holshtajn: Uji me të vërtetë është një resurs i shtrenjtë
Resurset e ujit duhet ruajtur pasi uji është jetë, theksoi ambasadorja gjermane në Shkup.
“Uji me të vërtetë është një resurs i shtrenjtë, po ashtu dua ta theksoj moton uji është jetë ndërsa Maqedonia është e pasur me ujëra. Ne e dimë se me ndryshimet klimatike këto sfida do të rriten ndonjëherë, do t’i kemi të mjaftueshme këto resurse, ndonjëherë do të mungojnë.”,- u shpreh ambasadorja e Gjermanisë në Shkup, Anke Holshtajn.
Pikërisht në Ditën Botërore të Ujërave, Ministria e Ambientit zgjodhi t’i promovojë rezultatet e realizimit të projektit për përpilimin e platformës digjitale të librit të ujërave dhe metodologjinë e monitorimit të ujërave, të financuar nga Ambasada britanike në Shkup, e menaxhuar nga Instituti për Studime të Komunikimit.
GYLTENE SINANI
