Të rinjtë perspektivën e shohin në perëndim, ekspertët: Arsyet nuk janë vetëm financiare

22.03.2022 15:26

Gjithnjë e më shumë të rinjtë perspektivën e tyre nuk e shohin në Maqedoninë e Veriut....

Gjithnjë e më shumë të rinjtë perspektivën e tyre nuk e shohin në Maqedoninë e Veriut. Shumica e të rinjve të ardhmen e tyre e shohin në vendet perëndimore, kurse ata që veç më kanë migruar nuk e kanë ndërmend të kthehen në vendlindje, tregojnë analizat e Fondacionit për Demokraci Sociale. 

“Sipas hulumtimit të bërë nga Fondacioni për Demokraci Sociale, 64.8% të rinj nga të anketuarit nuk janë të kënaqur nga vendi i tyre, përderisa 58% do të ishin shpërngulur nga shteti i tyre përgjithmonë, e nga këta 58% vetëm 6% do të ishin kthyer sërish.”,- tha kryetari i Forumit të të Rinjve, Petar Barlakovski.

Ekspertët thonë se jo gjithmonë të rinjtë zgjedhin për të migruar për shkak të kushteve financiare. Arsye tjera janë cilësia e jetesës si dhe aktivitetet e ndryshme kulturo-sociale që mundësojnë vendet e zhvilluara.

“Pa marrë parasysh se çfarë të ardhura kanë këtu, shumë të rinj vendosin të shpërngulen për shkak të mundësive më të mira në shtete tjera, në aspektin e jetës sociale, eventeve kulturore, mundësi më të mira të arsimimit etj.”,- theksoi ekspertja Tanja Tomiç.

Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, njoftoi se në programin e ri të Qeverisë 2022-2024, të rinjtë përfshihen përmes politikave që mundësojnë të ardhmen e tyre të sigurt. Ofrohet mbështetje për çdo të punësuar deri në 29 vjeç që do të punësohet për herë të parë, kurse për të gjithë të rinjtë të punësuar nën moshën 30 vjeç mundësohet kthim i tatimit mbi të ardhurat personale.

“Kjo Qeveri do të vazhdojë me zbatimin dhe rritjen e shtesave rinore për të rinjtë të përfshirë në aktivitete prodhuese, si dhe planifikohet digjitalizimi dhe rritja e fushës së shërbimeve dhe përfitimeve për të rinjtë që ofron Karta Evropiane për Rininë, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet shtetërore dhe institucionet publike. Parashikohen masa nxitëse për mjekët e rinj, por edhe mbështetje për fermerët e rinj. Digjitalizimi mbetet një nga prioritetet kryesore për Qeverinë, si një faktor kritik për kohën e re dhe zhvillimin thelbësor të kapitalit njerëzor në të gjitha nivelet.”,- u shpreh ministri i punëve të jashtme, Oliver Spasovski.

Ekspertët thonë se në vend, shumë profesione kanë nevojë për kuadër adekuat. Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale informojnë se në faqen zanimanja.mk, të rinjtë mund të shohin për profesionet të cilat kanë mungesë të kuadrit dhe të aplikojnë për punë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)