Maqedoni

Propozim-ndryshimi i Kodit Zgjedhor, KSP jep pëlqimin në lexim të parë

22.03.2022 15:31

Komisionin për Sistem Politik pranoi propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor...

Komisionin për Sistem Politik pranoi propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, në lexim të parë, i propozuar nga një grup deputetësh, përfaqësues të partive të vogla. Sipas propozuesit, Kodi aktual me gjashtë njësi favorizon partitë e mëdha në dëm të partive më të vogla ndërkaq modeli me një njësi zgjedhore e bën votën të barazvlefshme dhe u mundëson të gjithë qytetarëve të përfaqësohen në Parlament, përmes deputetëve që prezantojnë bindjet e tyre politike.          
 
“Nëse vendoset që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore, të kemi model proporcional dhe përllogaritja e deputetëve të bëhet përmes modelit të Dontit, pa prag zgjedhor, konsiderojmë se në masë të madhe do të përforcojë konceptin qytetar të shtetit tonë. Ndërkaq gjashtë njësi zgjedhore favorizojnë mbylljen në geto etnike.”,- tha Pavle Trajanov nga LD.
 
Propozimi, në parim, u përkrah nga të dy blloqet maqedonase, si nga LSDM ashtu edhe nga VMRO DPMNE por, LSDM konsideron se për këtë ndryshim duhet konsensus i gjerë politik ndërsa, VMRO nuk siguroi përkrahje përfundimtare.        
 
“LSDM si parti politike e promovon modelin zgjedhor me një njësi zgjedhore dhe kjo nuk është kontestuese, pasi e kemi pasur edhe në programin politik që nga viti 2016, por njëkohësisht LSDM është decide dhe konzistente se ndryshimi i modelit zgjedhor duhet të ndodh me konsensus të gjerë.”,- deklaroi Snezhana Kalevska Vançeva nga LSDM.
 
“Në parim, e përkrahim qëndrimin për një njësi zgjedhore dhe në këtë fazë do ta përkrahim këtë ligj, që të vazhdojë debati për modelin zgjedhor dhe për këtë temë më rëndësi të posaçme në mesin e ekspertëve dhe opinionit më të gjerë për të zhvilluar demokracinë në shtet.”,- theksoi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Modeli me një njësi zgjedhore është i papranueshëm për partitë shqiptare pasi rrezikon rikthimin e majorizimit. BDI përkrah modelin aktual me gjashtë njësi ndërkaq, ASH propozon tetë njësi zgjedhore.  
 
“Modeli zgjedhor, patjetër që në një farë mënyre duhet të pasqyron përbërjet heterogjene të strukturës të shoqërisë sonë. Mendoj që modeli zgjedhor me gjashtë njësi zgjedhore më së miri e pasqyron këtë strukturë heterogjene. Ne si BDI do të vazhdojmë me bisedimet por gjithsesi duke shtruar argumente dhe nuk do të lejojmë që të bëhet majorizimi ose mbivotimi i ndonjë partie politike mbi ndonjë parti tjetër.”,- u shpreh Vjollca Ademi nga BDI.
 
“Me tetë njësi zgjedhore do të sheshoheshin dallimet që sistemi me gjashtë njësi i bën në mënyrë të padrejtë. Dallimi ligjor është 5% ndërsa dallimi në realitet është më i madh. Në 2008 dhe në 2016 është thyer kushtetuta. Nuk do të ketë ndryshime të njësive zgjedhore në çdo cikël zgjedhor që të ruhen baraspeshat e njësive.”,- tha Halil Snopçe nga ASh.
 
Veç miratimit të nevojës për miratimin e propozim Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor, Komisioni për Sistem Politik propozoi edhe organizimin e debatit publik, të cilin do ta organizojë po ky komision.   
 
SHPËTIM NUREDINI