Zgjedhjet serbe në Kosovë, Kurti: Duhet marrëveshje mes dy vendeve

22.03.2022 15:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Sipas një deklarate të qeverisë së Kosovës, Kurti i ka bërë këto pohime gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore atje të cilëve u ka thënë se Kosova nuk dëshiron  që t’ua pamundësojë të drejtën e votës qytetarëve që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç, deklaroi në një aktivitet parazgjedhor, se “qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.

Autoritetet serbe kanë paralajmëruar mbajtjen e një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.

Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pretendon se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë në 3 prill. Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.