Botë

Nikoliq: përderisa unë jam president, nuk do ta njohim Shtetin e Kosovës!

31.12.2014 11:34

Presidenti i Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq, me rastin e festave të fundvitit ka zbuluar për mediat serbe shumëçka rreth karrierës së tij politike...

Presidenti i Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq, me rastin e festave të fundvitit ka zbuluar për mediat serbe shumëçka rreth karrierës së tij politike, të arriturat dhe dështimet e qeverisë serbe.

Gjithashtu, presidenti serb ka folur edhe për planin e tij të paralajmëruar rreth statusit, sipas tij, përfundimtar të Kosovës, transmeton “Telegrafi”.

“Procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të përshpejtohet dhe Serbia duhet të jetë gati për këtë. Pra, kuvendi sërish duhet të miratojë një program të masave, ndërsa unë nuk do të qëndroj larg. Jam i gatshëm për propozime, qeveria është e gatshme të marrë pjesë në këtë plan të ri”- tha Nikoliq.

Ai tha se platforma e re e shtetit serb për statusin përfundimtar të Kosovës parasheh maksimumin e asaj, që është e arritshme në ditët e sotme, por Serbia nuk duhet të kalojë “vijën e kuqe”.

“Platforma do të parashikojë maksimumin e arritshëm sot dhe do të përfaqësojë atë që, sipas së cilës, Serbia nuk do të ndahet plotësisht e kënaqur, por e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Unë e kam krijuar planin e parë në vitin 2012, por ai u refuzua, për shkak se qeveria kishte thënë haptas se ka gjëra që nuk mund të zbatohen. Unë nuk mund të sugjeroj diçka që qeveria nuk mund të zbatojë”- ka thënë

Nikoliq. I pari i shtetit serb përsëriti edhe njëherë se për shkak të këtij plani nuk do të ketë edhe ndryshime kushtetuese, pasi që Serbia nuk do ta njeh shtetin e Kosovës përderisa ai është në postin e presidentit.

Nikoliq, është i bindur se Serbisë do t’i kërkohet njohja e Kosovës në këmbim të hyrjes në Bashkimin Evropian.