Maqedoni

Ligji për Evidencë Amë, kërkohet të kthehet Ligji në Kuvend

22.03.2022 18:17

Rrjeti nacional për mbrojtjen nga hemofobia dhe transfobia e gjykojnë vendimin qeveritar...

Rrjeti nacional për mbrojtjen nga hemofobia dhe transfobia e gjykojnë vendimin qeveritar për tërheqjen e propozimit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Evidencë Amë nga procedura kuvendore.
 
Lila Miliç nga Iniciativa për Mbrojtje dhe Avancimin e të drejtave të transgjinorëve në RMV, kërkon që Ligji të kthehet në Kuvend dhe të votohet sa më parë nga deputetët. Ajo theksoi se parimi i vetëvendosjes është i garantuar me standardet ndërkombëtare për të cilat është përkushtuar vendi ynë.
 
“Me këtë shteti ynë nuk arriti të dëshmojë se do të ketë një shoqëri për të gjithë, me premtimin me të cilin ka ardhur në pushtet. E dyta dështon të plotësojë obligimin drejt Gjykatës Evropiane për të drejta të njeriut.”,- tha Lila Miliq nga Iniciativa për Mbrojtje dhe Avancimin e të Drejtave të Transgjinorëve në RMV.
 
Avokatja dhe këshilltarja juridike në Koalicionin "Margjinat", Natasha Boshkova, tha se deputetët të cilët janë më të zëshëm kundër këtij ligji, me sa duket nuk e kanë lexuar propozim ligjin.
 
“Më vjen keq që ligji për një vit qëndron në Kuvend dhe askush nuk na ftoi në debat publik t’i ballafaqojmë argumentet dhe të sqarojmë se nëse qëndrimet e një numri të deputetëve janë të justifikueshme apo janë burim i trasfobisë me rrënjë të thella.”,- tha avokatja, Natasha Boshkova.
 
Sipas këtij rrjeti, zbatimi i këtij ligji nuk ka asnjë implikim buxhetor dhe as ndonjë ndikim tjetër negativ në publikun e gjerë. Me propozim ligjin për evidencë amë parashihej ndryshim i gjinisë në dokumentet personale me deklaratë te noteri dhe kërkesë te Drejtoria për udhëheqjen e librave amë, pa pasur nevojë të dorëzohet dëshmi për intervenim kirurgjik të gjinisë.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI