Maqedoni

Transport falas për disa kategori, Ilievski: Analizojmë transportin falas për të gjithë

23.03.2022 13:49

Nga kjo e premte, rreth 80.000 qytetarë të moshuar mund të shfrytëzojnë transportin publik falas...

Nga kjo e  premte, rreth 80.000 qytetarë të moshuar mund të shfrytëzojnë transportin publik falas, të martave, të premteve, të shtunave dhe të dielave. Rikthehet transporti falas edhe për nxënësit e shkollave fillore e të mesme si dhe për studentët e universiteteve shtetërore. I pyetur se a do të ketë transport publik falas për të gjithë,  siç ishte parashikuar nga kryetarja e komunës së Shkupit, drejtori i NTP- Shkup, Ivan Ilievski,  tha se kjo duhet ende të analizohet.
 
“Tani është koha për vendime të mençura, bëjmë analiza, punojmë në konsultim me kompaninë, nga pikëpamja ekonomike, pastaj nga ana njerëzore, rritja e burimeve njerëzore, kështu që gjithçka që premtohet në programin e kryetares së Shkupit mund ta them me siguri se Shkupi do të ketë transport falas dhe Shkupi do të ketë transport ekologjik.”,- theksoi Ivan Ilievski - u. d. drejtor i NTP – Shkup.
 
Ilievski ankohet se ka borxhe të trashëguara
 
Ai u ankua se drejtimin e kompanisë e ka  trashëguar në  gjendje të vështirë financiare, me humbje prej 3 milionë euro e aktualisht përballen edhe me krizën shkaktuar nga rritja e çmimeve të  derivateve. 
 
“Ne po përballemi me sfida të mëdha, një rritje të çmimit të derivateve të naftës e të gazit natyror. Krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, kostot e karburantit dhe gazit u rritën mesatarisht me 33%. Ky është dhe do të jetë një vit i vështirë për të gjithë dhe ne si kompani po kërkojmë një mënyrë për të ulur kostot joproduktive në zero. Është e vështirë, por ne nuk dorëzohemi.”- tha Ivan Ilievski- u. d. drejtor i NTP – Shkup.
 
Ilievski shtoi se në periudhën e fundit në përputhje me strategjinë dhe kërkesat e qytetarëve janë vënë në funksion linjat shtesë të autobusëve dhe janë rikthyer në funksion linjat e natës që më herët ishin pezulluar.

SEDAT SELIMI