Maqedoni

Programi festiv, TVM2 pjesë e gëzimit tuaj

31.12.2014 13:04

TVM2 edhe në këtë natë të ndërrimit të viteve do të jetë pjesë e gëzimit familjar të të gjithë shikuesve tanë jo vetëm në Maqedoni, por edhe në diasporë...

Me një program festiv, të përzgjedhur me mjaft kujdes, me një ofertë emisionesh për fëmijë, filmash, emisionesh festive dhe me programin qendror, ku janë përzgjedhur këngëtarët më të mirë të të gjitha trevave shqiptare, edhe sivjet servisi publik do të jetë oferta më e mirë për të kaluar një atmosferë festive jo vetëm këtë natë, por të gjitha ditët festive. 
 
“Këngëtarët yje na kanë përzgjedhur ne, servisin publik,  për të qenë mysafirët e natës së Viti të Ri dhe kur të vjen një mysafir i mirë, patjetër t’i ja hapë me dëshirë derën dhe ne shpresojmë që të gjithë ju sonte t’ia hapni derën ofertës sonë festive. Por, më e rëndësishmja është që ju të na e mbani derën hapur edhe në 365 ditët e 2015, sepse ne punojmë për spektatorin dhe kartolina jonë më e madhe festive për vitin e ardhshëm do të jetë pikërisht besimi i shikuesve tanë”- u shpreh kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca.
 
Por, TVM2 ka edhe të tjera emisione gëzimi në këto ditë festive. Padyshim që më i veçanti është emisioni “Lot dhe Gëzim”, i cili gjatë gjithë vitit ka ndryshuar jetën e shumë familjeve në nevojë dhe do të jetë me ta edhe në datën 1 janar. 
 
“Oferta më e bukur për mua personalisht është emisioni festiv “Lot dhe gëzim” më 1 janar. Emisionit tonë, që ka bërë bum në audiencë, vajzat e këtij emisioni, Rina dhe Hamidja, kanë ndërtuar 71 shtëpi, jo TVM2, por njerëzit të cilët na kanë ndihmuar e të cilët duan të mbeten anonimë, por që ne i falënderojmë shumë nga zemra, sepse ne i dimë se kush janë ata. Kemi ndërtuar shtëpi, kemi shëruar fëmijë të sëmurë, kemi ndihmuar të tjerë të shërohen. Ndoshta nuk kemi bërë sa duhet, por aq kanë qenë mundësitë tona. Dhe për Vitin e Ri vajzat i kanë ftuar të gjitha rastet sociale të vitit të fundit në studion e madhe të TVM2”- tha kryeredaktorja e TVM2, Migena Gorenca.
 
Edicionet festive të emisioneve “Urban Soul”, “Event”, emisioni “Pas kamerave”, oferta e filmave më të mirë në tregun mediatik dhe padyshim muzika e përzgjedhur, jemi të bindur se edhe sivjet do ta kthejnë ekranin tonë në ekranin tuaj të preferuar gjatë festave. 
 
AMIR DURAKU