Maqedoni
Strugë dhe Ohër, strehohen refugjatët e parë nga Ukraina
23.03.2022 14:59
Dy familje refugjatësh nga Ukraina janë strehuar në Strugë dhe Ohër këtë javë....

Dy familje refugjatësh nga Ukraina janë strehuar në Strugë dhe Ohër këtë javë. Familja 8 anëtarëshe e vendosur në Strugë ka ardhur nga qyteti Zaporozhje, i cili tashmë është okupuar nga forcat ruse.
“Ne jetojmë afër aeroportit, afër pjesës ushtarake, prandaj ishte e tmerrshme, sepse dëgjoheshin bombardimet që nga dita e parë, më 24 shkurt, në 5 në mëngjes... Pas ditës së parë filluan të krijohen grupe, të lëvizin njerëz me armë, filluan t’i bllokojnë edhe rrugët dhe urat, megjithatë arritëm të largohemi, vetëm me teshat që i kishim veshur, dhe do gjëra të vogla vetëm morëm dhe shkuam tek disa familjarë në perëndim të Ukrainës dhe atje jetuam një javë, ku ndihmuam si vullnetarë, ndihmonim refugjatët, por pas një jave edhe atje filluan të dëgjoheshin sirena dhe ashtu vendosëm të ikim.”,- tha refugjati nga Ukraina, Vladimir Orlovski.
Marija dhe Vladimir kanë 6 fëmijë, më i vogli është vetëm një muaj. kanë nevojë për ndoihma për fëmijët e tyre. Momentalisht janë vendosur falas në një hotel në Strugë.
“Një person nga Shqipëria që është vullnetar në grupin ku ne kërkonim ndihmë, më shkroi që ka një hotel i cili për momentin është i mbyllur, sepse nuk ka nisur sezoni veror dhe mund të jetojmë aty. Hoteli është në Strugë. E kemi pa pagesë dhe jemi marrë vesh që ta ndihmojmë kur të nisë sezoni.”,- u shpreh refugjati nga Ukraina, Marija Orlovskaja.
Një tjetër familje 5 anëtarëshe kanë ardhur nga Poltava në Ohër. Olga Kosiçenko thotë se kanë dashur të shkojnë në Poloni por ngaqë çmimet e banesave ishin shumë shtrenjtë, vendosën të vijnë në RMV.
“Deshim të jetojmë në Poloni, por atje u rritën çmimet e banesave, fillonin nga 1000 dollarë në muaj, dhe të pagosh për 3 muaj më herët. Jemi këtu në Ohër me burrin, me 3 fëmijë dhe me një qen të vogël dhe një mace. Pagojmë këtu, 250 euro në muaj, kemi paguar për dy muaj.”,- u shpreh refugjatja nga Ukraina, Olga Kosiçenko.
Familjet nga Ukraina thonë se për momentin janë mirë financiarisht, por nuk e dinë edhe për sa kohë do të mund të kalojnë me ato të holla që kanë me vete. Ata janë të gatshëm të punojnë, të ndihmojnë nëse dikush iu ofron punë. Kërkojnë ndihmë për fëmijët, që të shkruhen në çerdhe dhe kurse të ndryshme për të mos lënë anash mësimin.
ILMIE ZHAKU
