Botë
Zelensky paralajmëron tragjedi: 100 mijë të bllokuar, pa ushqim e ujë në Mariupol
23.03.2022 15:27
Mariupoli vazhdon të jetë epiqendër e ofensivës së pamëshirshme të Rusisë në Ukrainë....

Mariupoli vazhdon të jetë epiqendër e ofensivës së pamëshirshme të Rusisë në Ukrainë. Rreth 100 mijë persona janë ende të bllokuar në qytetin e rrethuar, në kushte çnjerëzore dhe nën sulme të vazhdueshme. Palët u dakordësuan të mërkurën për hapjen e 9 korridoreve për evakuimin e qytetarëve, por jo nga Mariupoli. Rusët morën peng edhe një autokolone humanitare. Me gjithë vështirësitë, 7026 banorë të Mariupolit u shpëtuan të martën.
“Rreth 100 mijë vetë kanë ngecur në Mariupol në kushte çnjerëzore, totalisht të bllokuar, pa ushqim, ujë dhe ilaçe, nën bombardimet konstante të ushtrisë ruse. Për më shumë se një javë jemi përpjekur të organizojmë korridore të sigurta për banorët, por fatkeqësisht gati të gjitha përpjekjet janë penguar nga pushtuesit.”,- deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenesky.
Zelenski përsërit nevojën për një përballje me homologun Vladimir Putin, teksa shprehet i hapur për të diskutuar me të dhe për territoret e pushtuara. Në Luhansk këtë të mërkurë hyri në fuqi marrëveshja e armëpushimit për evakuimin e civilëve të bllokuar. Lufta 28-ditore i ka kushtuar jetën 121 fëmijëve, më shumë se 160 të tjerë janë plagosur. numri i atyre që largohen, shtohet çdo ditë.
Deklarata e Peskovit për armët bërthamore, Pentagoni: Është deklaratë e rrezikshme
Ukrainasit thonë se kanë sprapsur forcat ruse në zonat veriore pranë kryeqytetit, të cilat i kontrollonin që prej nisjes së pushtimit. Por fitoret e vogla të Ukrainës, rrisin shqetësimet për egërsim të taktikave të Moskës. SHBA-ja dhe BE besojnë se Bjellorusia mund t’i bashkohet shpejt luftës. Edhe deklarata e fundit e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, se Rusia do të përdorte armët bërthamore në rastin e një kërcënimi ekzistencial, shihet me tmerr nga ndërkombëtarët
“Retorika e Rusisë është e rrezikshme. Kjo nuk është mënyra se si duhet të veprojë një fuqi bërthamore.”,- tha zëdhënësi i pentagonit, John Kirby.
Lufta në Ukrainë, Biden sanksionon 300 anëtarë të Dumës
SHBA-të kanë vendosur të shtojnë më tej sanksionet ndaj Rusisë që këtë herë përfshijnë kufizime ndaj 300 anëtarëve të Dumës ruse. Këto sanksione do të shpallen të enjte gjatë pjesëmarrjes së Bidenit në Bruksel, në samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s për Ukrainën dhe në takimin e liderëve të G7.
SANIJE DURAKU
