Maqedoni

Spekulimet me çmimet, qytetarët: Ka parregullsi, e tregojnë faturat

23.03.2022 15:46

Heqja e TVSh-së për produktet bazë nuk është respektuar nga shumë markete...

Heqja e TVSh-së për produktet bazë nuk është respektuar nga shumë markete, pronarët e të cilëve si duket kërkuan të përfitojnë gjatë kësaj periudhe. Inspektorët kanë shtuar kontrollet në terren e po mbyllin çdo dyqan që spekulon me çmimet. Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se spekulime ka.
 
“Ka disa markete të cilat shesin produkte bazë me TVSh dhe i shohim në kuponat fiskal që është llogaritur TVSh-ja. Momentalisht të gjitha çmimet janë rritur dhe kriza e bën të vetën.”,- tha një qytetar.
 
“Më ka ndodhur që ka pasur TVSh, ndërsa ka ana tjetër kanë lajmëruar që nuk duhet të ketë TVSh. Çmimet janë të larta, në disa markete më ka ndodhur që të ketë tjetër çmim në rafte dhe tjetër në kasë.”,- theksoi një qytetar. 
 
“Na shiten me TVSh. Për standardin tonë çmimet nuk janë në rregull.”,- u shpreh një qytetar.
 
“Në përgjithësi çmimet janë në rritje edhe tek ne dhe gjithkund tjetër, indikatorët dihet në fillim pandemia tani edhe lufta. Për standardin tonë nuk janë normale këto çmime, por ne nuk ndikojmë për shkak se nuk kemi prodhim dhe vetëm importojmë.”,- potencoi një qytetar. 
 
“Unë çdo ditë bëjë pazar dhe deri tani nuk kam vërejtur një gjë të tillë. Ka disa artikuj ku vërehet rritja e çmimeve në të gjitha marketet, si buka, mielli, edhe vaji.”,- tha një qytetar. 
 
DAP: Kontrollet vazhdojnë, Ligji do të respektohet
 
DAP informon se aksioni për detektimin e marketeve ku shiten disa produkte bazë me TVSh do të vazhdojë. Ndërsa aty ku do të konstatohen parregullsi do të pësojnë edhe gjoba.
 
DAP ka njoftuar se kontrolli në terren të marketeve KAM ka përfunduar dhe asnjë market deri më tani nuk është mbyllur.
 
“Disa  markete kanë shitur vaj, mish viçi të freskët, oriz dhe qumësht me tatim të llogaritur mbi vlerën, gjë që është në kundërshtim me vendimin e Qeverisë dhe ndryshimet në Ligjin për TVSh. Me inspektimin fillestar dhe paraprak në terren, inspektorët konstatuan se një pjesë tregtarëve me pakicë jo vetëm në KAM por edhe  në disa markete  të tjera të zinxhirëve të mëdhenj, është llogaritur TVSh 5% për produktet ushqimore bazë.”,- thuhet në kumtesën e DAP-it. Sipas tyre, qëllimi nuk është që të mbyllen dyqanet, por t’u tregojë të gjithë tatimpaguesve se ligji respektohet.
 
GAZMEND KURTISHI