Maqedoni
Kuvend, fati i modelit zgjedhor, te partitë e mëdha
23.03.2022 16:24
Përpjekja e re e partive më të vogla politike për ndryshim të modelit zgjedhor ka vënë në siklet partitë më të mëdha politike.

Përpjekja e re e partive më të vogla politike për ndryshim të modelit zgjedhor ka vënë në siklet partitë më të mëdha politike. VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në se po fshihet pas BDI-së kur bëhet fjalë për ndryshimin e modelit zgjedhor, duke kërkuar kështu konsensus midis partive.
“Edhe pse LSDM-ja në programin e saj premtoi një njësi zgjedhore, tani shohim se si përmes një pazari midis koalicionit me BDI-në po mundohen të shesin tregimin e policit të keq dhe të mirë, gjegjësisht se janë për një njësi zgjedhore, ndërsa BDI është ajo që është kundër. BDI e ka të qartë qëllimin të mos fillojë fare ky proces me çka procedura do të bllokohej në Kuvend ndërsa LSDM-ja duke e ditur këtë kërkon konsensus nga të gjitha partitë.”,- tha Dajanço Eftimov nga VMRO-DPMNE.
Por socialdemokratët hedhin poshtë si të pa vërteta pretendimet e VMRO-DPMNE-së, sepse sipas tyre edhe gjatë premtimit ata kanë nënvizuar nevojën për konsensus midis partive.
“Për një çështje të tillë dhe për ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor nevojitet një konsensus i gjerë. Ky qëndrim i yni nuk është që tani e dhe ata e dinë këtë qëndrim sepse ne e kemi përsëritur gjithmonë. Ne thamë po për propozim ndryshimet e ligjit në mënyrë që të hapet çështja dhe të diskutohet. Për këtë arsye duam tani të hapet në mënyrë që të ketë mjaftueshëm kohë për kristalizimin e gjërave.”,- u shpreh Snezhana Kaleska Vançeva nga LSDM.
Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngul që ligji të miratohet me konsensus etnik dhe partiak për të respektuar interesat e të gjitha shtresave të shoqërisë. Deputetët në komisionin e Sistemit Politik votuan për nevojën e miratimit të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Ndryshimet ligjore në Kodin Zgjedhor janë propozuar që në mars të vitit të kaluar, por u frenuan në seancë plenare pikërisht për shkak të pamundësisë për të arritur një marrëveshje mes partive politike.
NAIM RAMADANI
