Maqedoni

Pr/ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Selmani: Pa konsensus do të dështojnë

23.03.2022 17:02

Propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të ndryshuar modelin zgjedhor...

Propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të ndryshuar modelin zgjedhor, edhe pse kanë hyrë në procedurë parlamentare vështirë se mund të kenë një epilog pozitiv. Profesori universitar, Bashkim Selmani, thotë se pa konsensus të gjerë politik mes partive parlamentare këto ndryshime s’mund të ndodhin.
 
Ndërkaq, fakti që propozimi është parashtruar vetëm nga një grup deputetësh, përfaqësues të partive të vogla, tregon se konsensusi mungon. 
 
“Më tepër duket një humbje kohe dhe një vështirësi e Kuvendit, i cili ka shumë prioritete të tjera për sjelljen e ligjeve, kodeve, etj.. E gjithë kjo situatë nuk besoj se do të ketë një epilog të suksesshëm, pasi do të jetë e vështirë pa një konsensus të gjerë.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Selmani: Një njësi s’u përshtatet shqiptarëve
 
Sipas Selmanit, ndryshimi i modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore nuk është në interes të shqiptarëve edhe pse dhe modeli ekzistues ka defektet e veta dhe jo gjithmonë vota ka të njëjtën vlerë.
 
“Aktualisht të gjitha këto ndryshime, për ne shqiptarët si komb, nuk janë në interesin tonë, pasi janë rrethana të caktuara që janë dëshmuar si tendencioze. Mirëpo, unë do të desha të plotësoj, nëse merret krahasimi bazë i votës së përgjithshme të një deputeti të zgjedhur shqiptar dhe një deputeti maqedonas do të shohim se numri është jashtëzakonisht i ndryshueshëm.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
 
Sipas përfaqësuesve të partive më të vogla, Kodi aktual me gjashtë njësi zgjedhore favorizon partitë e mëdha në dëm të partive më të vogla. Me propozimin ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor parashihet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, me model proporcional ku përllogaritja e deputetëve të bëhet sipas modelit të Dontit, pa prag zgjedhor.
 
Që në fillim, nisma nuk gjeti përkrahjen e subjekteve shqiptare BDI dhe ASh.  
 
SHPËTIM NUREDINI