Dejvid Gir: Duam sa më shpejt të shohim fillimin e negociatave

23.03.2022 17:38

Pjesëmarrja e kryeministrit Kovaçevski në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s...

Pjesëmarrja e kryeministrit Kovaçevski në Samitin e jashtëzakonshëm të NATO-s ka prolonguar vizitën e shefes së diplomacisë bullgare, Gençovska, e cila me ministrin Osmani duhej të vazhdojnë bisedimet politike në Shkup.

Ata përsëri do të takohen në Samitin e NATO-s në Bruksel për të vazhduar bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për heqjen e vetos për fillimin e negociatave. BE pret që sa më shpejt dy vendet të arrijnë marrëveshje që të mund të nisin bisedimet, thotë euroambasadori Gir.

“Mendoj se është e qartë, duam të shohim fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa të jetë e mundur më shpejt. Përshëndesim përpjekjet e dy palëve, Shkupit dhe Sofjes, për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, me qëllim që kjo të ndodh sa më shpejt. Prandaj i inkurajojmë t’i vazhdojnë këto përpjekje dhe shpresojmë se nëse vazhdojnë përpjekjet do të hapen negociatat në kohën e kryesimit francez.”,- tha ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.

Milevski: Përforcimi i dialogut me Sofjen, po jep rezultate

Përforcimi i dialogut me Sofjen po jep rezultate thekson ministri i vetëqeverisjes lokale, Milevski, i cili është pjesë e njërit nga grupet punuese. Vlerëson se Shkupi dhe Sofja do të mbeten të përkushtuara për arritjen e marrëveshjes.

“Vendosmëria e kryeministrit të Bullgarisë që ka deklaruar në periudhën e fundit, jo vetëm me shkarkimin e ministrit të tyre i cili refuzoi të shpallë invazionin rus ndaj Ukrainës si të tillë, burgimin e ish kryeministrit dhe ndërmarrjen e të gjithë  hapat tjerë tek unë ngjallin shpresën se ai po shkurton gjërat dhe se do ta presë me vendosmëri problem me Maqedoninë e Veriut.”,- u shpreh ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski.

Bashkimi Evropian edhe përskaj zhvillimeve në Ukrainë dhe preokupimeve me sanksionet ndaj Rusisë mbetet në qëndrimin se fillimi i negociatave është i mundur gjatë kryesimit francez. (Leunora Kaliqi, TVM2)