Likovë, kontrollime gjinekologjike dhe PAP-teste
Nga data 21 e deri më 25 mars në Ambulancën modulare...

Nga data 21 e deri më 25 mars në Ambulancën modulare, pranë Shtëpisë së Shëndetit në Likovë, po kryhen kontrolle gjinekologjike dhe PAP - teste pa pagesë për banoret e komunës së Likovës.
Bëhet fjalë për projekt të mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, Asociacioni Gjinekologjik dhe Obstetrik i Maqedonisë së Veriut, Shoqata e Mjekëve të Maqedonisë, Kryqi i Kuq dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullatë.
“Ia vlen që gratë e komunës sonë ta shfrytëzojnë këtë mundësi, këtë aksion që të parandalojnë sëmundjet e ndryshme gjinekologjike e sidomos tek qafa e mitrës që mos të vijë deri tek sëmundja e kancerit, është aktivitet i qëlluar nga ku unë kisha kërkuar nga kompetentët e këtij aktiviteti që ta vazhdojnë së paku edhe për një javë këtë aktivitet për shkak se kemi numër jashtëzakonisht të madh për të kryer kontrolle gjinekologjike.”,- tha drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit – Likovë, Rukije Miftari.
“Ka interesim sepse u ofrojmë qasje më të lehtë pacienteve që të vijnë të kontrollohen dhe të këshillohen. Sa për informim vetëm në mëngjes kishim 10 kontrolle të kompletuara rutinore. Të interesuarat për kontroll janë nga të gjitha moshat. Ndonëse në përqindje numri më i madh janë të moshës më të moshuar , por ka mjaft paciente edhe të moshës më të re . Në përgjithëso deri tani ka interesim të madh.”,- na njoftoi gjinekologi, Dimitar Kallçovski.
Projekti në fjalë është në interes të vet pacienteve të kësaj komune por edhe të regjioneve të tjera, për detektimin dhe shërimin e sëmundjeve të ndryshme. Kontrollimet dhe testet do të vazhdojnë deri të premten duke filluar nga ora 09:00 e deri në 14:00 në Shtëpinë e shëndetit në Likovë. (Fatlum Aqifi, TVM2)
