Maqedoni

Stoltenberg: Kemi realitet të ri, NATO duhet të jetë gati

23.03.2022 19:26

Në prag të Samitit të jashtëzakonshëm të paktit veri-atlantik ku diskutohet mbi situatën në Ukrainën...

Në prag të Samitit të jashtëzakonshëm të paktit veri-atlantik ku diskutohet mbi situatën në Ukrainën, riafirmimin e mbështetjes nga udhëheqësit e NATO-s dhe për  pasojat afatgjate  që mund të vijnë nga invazion rus, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, tha se siguria globale gjendet para një realiteti të ri, dhe  aleanca duhet të jetë e gatshme t’i përgjigjet kërcënimeve të mundshme të sigurisë ndaj vendeve anëtare të saj. Stoltenberg sërish i bëri thirrje presidentin rus Putin të tërhiqet nga lufta brutale dhe t’i qaset diplomacisë. 
 
“Pres që liderët të bien dakord për të përforcuar qëndrimin e NATO-s në të gjitha fushat, më rritje të mëdha të forcave tona  në pjesën lindore të Aleancës, në tokë, në ajër në det. Hapi i parë është vendosja e grupeve të reja ushtarake në NATO-s në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki. Përballemi me një realitet të ri  në sigurinë tone,  prandaj rivendosim mbrojtje dhe parandalim për një afat më të gjatë në sigurinë tonë. Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes sipas kartës së OKB-së dhe ne po i ndihmojmë ukrainasit ta mbrojnë këtë të drejtë themelore.”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Pritet që në samit, anëtarët e NATO-s të dakordohen për mbështetje shtesë ndaj Ukrainës, përfshi ndihmën për siguri kibernetike si dhe  në pajisjet për t’u mbrojtur nga kërcënimet kimike, biologjike dhe bërthamore. në samit merr pjesë edhe një delegacion i lartë nga RMV i kryesuar nga kryeministri Kovaçevski që shoqërohet nga ministri i jashtëm, Bujar Osmani, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO, Dane Taleski.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU