Botë

Lufta në Ukrainë, liderët perëndimorë mblidhen sot në tri samite

24.03.2022 12:26

Presidenti amerikan Joe Biden u bashkohet sot liderëve perëndimorë në Bruksel...

Presidenti amerikan Joe Biden u bashkohet sot liderëve perëndimorë në Bruksel, për tre samite mbi luftën në Ukrainë, një muaj pas nisjes së ofensivës ruse.
 
Krerët e NATO-s, G7-ës dhe BE-së mblidhen sot duke treguar një unitet të rrallë të perëndimit. Biden do të marrë pjesë në të treja takimet, duke u bërë i pari president amerikan që i bashkohet një samiti të Bashkimit Europian në Bruksel.
 
30 liderët e aleancës veri-atlantike do të dakordësohen për më shumë mbështetje për Ukrainën dhe dërgimin e trupave shtesë në vendet e Europës Lindore.
 
Qëllimi është të tregohet solidaritet për Kievin, edhe pse jo të gjithë mbështesin dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë.
 
Britania e Madhe ka thënë sedo të shfrytëzojë samitet e NATO-s dhe G7 për të rritur në mënyrë të konsiderueshme ndihmat ushtarake. Në prag të takimeve, kryeministri Boris Johnson tha se shteti i tij do të dërgojë 6,000 raketa shtesë dhe ndihmë financiare në vlerë të 33 milionë dollarëve për ushtrinë e Ukrainës.
 
Megjithatë, aleanca e ka bërë të qartë se nuk do të përfshihet më tej dhe se nuk do të shpallë një zonë të ndalim fluturimit, e kërkuar vazhdimisht nga presidenti Zelensky. Ky i fundit do të lidhet me liderët e NATO-s dhe ata të BE përmes videokonferencave.