Maqedoni
Mjekët: Edhe në kohë pandemie, qytetarët morën trajtime shëndetësore
24.03.2022 14:28
Edhe pse në kohë pandemie dhe me kapacitete të kufizuara, autoritetet shëndetësore kanë arritur t’u ofrojnë qytetarëve shërbime shëndetësore...

Edhe pse në kohë pandemie dhe me kapacitete të kufizuara, autoritetet shëndetësore kanë arritur t’u ofrojnë qytetarëve shërbime shëndetësore, vlerësojnë mjekët. Në konferencën online lidhur me atë se sa u respektuan të drejtat e njeriut në kohën e pandemisë Kovid-19, drejtoresha e Klinikës Infektive tha se kanë arritur t’i menaxhojnë nevojat e Kovid pacientëve, por edhe të pacientëve të tjerë me sëmundje të rënda, që arrijnë numrin prej rreth 50 mijë pacientë.
“Në një periudhë ishte praktikisht e pamundur ta mbroni pacientin nga infektimi me Kovid kur numrat e të infektuarve ishin tejet të larta. Ajo ishte diçka që nuk mund ta parashikonte apo sigurojë sistemi apo mjeku, pasi praktikisht secili i treti apo i katërti në rrethinë ishte i infektuar.”,- deklaroi drejtoresha e Klinikës Infektive, Milena Stevanoviç.
Shaqiri: Mësimi online, metoda më e mirë në kohë pandemie
Pandemia imponoi edhe ndryshime në sistemin arsimor. Por, nuk ishte e lehtë përshtatja me mësimin online dhe jo të gjithë nxënësit dhe arsimtarët kishin mundësi për diçka të tillë për shkak të kufizimeve teknike. Ministri i arsimit thotë se në kohë pandemie ishte me rëndësi të ruhet shëndeti dhe jeta e nxënësve dhe arsimtarëve e më pas të sigurohet edhe mundësia për arsim.
“Ngjarjet e mëdha siç është pandemia e Kovid-19 janë provim për kualitetin e asaj që është punuar deri atëherë. Po ashtu vijnë në shprehje aftësitë për reagim të shpejtë dhe transformim, si udhërrëfyes se çfarë duhet ndryshuar që ta presim ardhmërinë sa më të përgatitur.”,- u shpreh ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Mësimi online ishte metoda më e mirë në kohë pandemie, vlerësoi ministri Shaqiri, i cili përkujtoi se para dy vitesh u ndërpre mësimi me prani fizike dhe Servisi Publik filloi me emetimin e përmbajtjeve arsimore.
GYLTENE SINANI
