Maqedoni
Konferencë Ndërkombëtare për Gjyqësorin, “gjyqësori duhet të jetë efikas dhe i pavarur”
24.03.2022 15:27
Gjyqësori duhet të dëshmojë pavarësinë e tij që të fitojë respektin nga qytetarët....

Gjyqësori duhet të dëshmojë pavarësinë e tij që të fitojë respektin nga qytetarët. Këtë e ka theksuar ambasadorja e SHBA-ve në Shkup, Kejt Mari Bërnz, në Konferencën Ndërkombëtare të gjashtë "Pavarësia e gjyqësorit në procesin reformues". Bërnz vlerëson se Këshilli Gjyqësor jo vonë miratoi metodologji të re për vlerësimin e punës së gjykatësve, por përsëri ai nuk është implementuar në tërësi, gjë që zgjon dyshime në publik për praktika transparente të bazuara në merita.
“Nuk është fshehtësi se publiku nuk i beson gjyqësorit. Anketa jo e largët e realizuar nga "Eurothink" tregoi se 8% e qytetarëve në RMV kanë besim në gjyqësorin dhe prokurorinë. Është e qartë se ka shumë për t’u punuar, përfshirë dhe reforma në gjyqësor dhe përforcimin e institucioneve, por gjithashtu duhet të adresohen edhe perceptimet, qytetarët duhet të shohin dhe ndjejnë se sistemi po funksionon. Qytetarët duhet të jenë të bindur se rastet e tyre do të dëgjohen nga gjykatës të paanshëm dhe të pavarur në afat të arsyeshëm. Ky është parimi bazë në çdo demokraci të lirë dhe funksionale.”,- deklaroi ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Kejt Mari Brnz.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Crvenkovska, vlerësoi se në dekadat e fundit pak është punuar në kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.
“Ky është një proces i gjatë, në kontinuitet, nuk mundet brenda natës të kthehet besimi i qytetarëve në gjyqësor. Në këtë proces janë të kyçura një sërë masa dhe aktivitete dhe unë këtë gjithmonë e përmendi si një bazë për kthimin e besimit të qytetarëve, e ajo është metodologjia për vlerësim cilësor të gjykatësve.”,- tha kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Pavlina Crvenkovska.
Zëvendësministri i drejtësisë, Agim Nuhiu, theksoi se reformat në gjyqësor mbeten prioritet.
“Synimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Qeverisë është që me këtë proces të rrisë kredibilitetin e sistemit gjyqësor në tërësi si dhe përgjegjësinë e prokurorëve dhe gjykatësve në drejtim të efikasitetit dhe drejtësisë në veprimet e tyre. Me një reformë aktive dhe plan për të përmirësuar pamjet e përgjithshme të sistemit gjyqësor është e qartë se gjerat po ecin përpara.”,- theksoi zëvendëskryeministri i drejtësisë, Agim Nuhiu.
Nga Shoqata e Gjykatësve theksojnë se në vazhdimësi i ndjekin dobësitë që paraqiten në gjyqësor.
“Për ne si shoqatë është i rëndësishëm statusi material i gjykatësve, besimi në gjyqësorin dhe gjithsesi aktivitetet në atë drejtim, përfshirë edhe buxhetin e përgjithshëm të gjyqësorit. I shqyrtojmë edhe çështjet etike dhe transparencës me shpresë që do të kontribuojmë në rritjen e besimit në gjyqësor si dobësi që është detektuar nga të gjithë.”,- u shpreh Xhemali Saiti nga Shoqata e Gjykatësve.
Me këtë rast u bë e ditur se në RMV ka mungesë të theksuar të gjykatësve. Prej 639, momentalisht janë vetëm 473 gjykatës. Me ndryshimet e fundit të Ligjit për marrëdhënie pune mund të ndodhë që 60 gjykatës deri në fund të vitit të pensionohen.
FLORIJE BELULI KAMBERI
