Maqedoni
Kreshiç: Inflacioni në RMV është nën kontroll
24.03.2022 15:51
Ekonomia globale është rrezikuar nga lufta në Ukrainë...

Ekonomia globale është rrezikuar nga lufta në Ukrainë, e cila ka ndikuar në furnizimin me energji elektrike dhe derivate, ndërsa problem shtesë është inflacioni që po rritet në rajon dhe botë. Kështu vlerëson ekonomistja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Ana Kreshiç. Sipas vlerësimeve të saj, Maqedonia e Veriut aktualisht po përballet mirë me krizën, ndërsa inflacioni është nën kontroll.
“Kjo nuk është diçka që është karakteristike për Maqedoninë e Veriut, pasi me këtë po përballen të gjitha vendet e botës për momentin. Kjo është për shkak të jostabilitetit të çmimeve të produkteve dhe energjisë elektrike, por mbi të gjitha për shkak të pasigurisë së madhe gjithkund në botë. Por, dëshirojmë të duartrokasim përgjigjen e autoriteteve dhe Bankës Qendrore të Maqedonisë, pasi vlerësojmë se inflacioni është nën kontroll.”,- tha ekonomistja e BERZh, Ana Kreshiç.
Në kohë të pandemisë globale procesi i digjitalizimit ka shënuar rritje të madhe pasi shumë ekonomi në botë kanë punuar online, tha Kreshiç, sipas të cilës në RMV duhet të ketë investim në arsim dhe aftësi digjitale.
Duke prezantuar raportin e Tranzicionit për vitin 2021-2022 të përgatitur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ajo tha se vendi edhe përkundër përmirësimeve të konsiderueshme të disa fushave në vitet e fundit, niveli i aftësive digjitale ka hasur në kufizim që ka ngadalësuar dixhitalizimin e mëtejshëm.
Angellovska: Të ndalim ikjen e fuqisë punëtore të kualifikuar
Nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dixhitale e thekson edhe guvernatorja e Bankës Popullore.
“Në vendin tonë, përpjekjet duhet të drejtohen drejt një infrastrukture digjitale më të përshtatshme, por edhe më shumë drejt rritjes së aftësive digjitale. Vëmendje më e madhe duhet t'i kushtohet pengimit të largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, veçanërisht me aftësitë digjitale, si dhe promovimit të trajnimit digjital nga punëdhënësit.”,- theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska - Bezhoska.
Deri më tani, BERZh ka investuar 2,2 miliardë euro në 154 projekte në vend, ndërsa vitin e ardhshëm fokusi do të jetë në autostradën Shkup-Bllacë dhe projektin rajonal për menaxhimin e mbeturinave të ngurta.
SEDAT SELIMI
