Maqedoni

Kryqi i Kuq: qytetarët janë humanë në dhurimin e gjakut

24.03.2022 16:13

Të dhurosh gjak mund të bëhesh shkak që dikujt t’ia rikthesh buzëqeshjen...

Të dhurosh gjak mund të bëhesh shkak që dikujt t’ia rikthesh buzëqeshjen, të dhurosh gjak mund të bëhesh shkaktar që dikujt t’i shpëtosh jetën. Kjo u tha gjatë manifestimit të Kryqit të Kuq me rastin e  Ditës për Dhurimin e Gjakut.
 
Sait Saiti - kryetar i Kryqit të Kuq tha se qytetarët në Maqedoninë e Veriut kanë dëshmuar humanitetin e tyre kur është në pyetje dhurimi i gjakut. 
 
“Meqenëse jemi një ndër shtetet në rajon që dhurimin e gjakut e bëjnë në baza krejtësisht vullnetare dhe arrijnë që krejtësisht t’i plotëson nevojat e sistemit shëndetësor mund të konstatojmë se qytetarët tonë e ndjejnë momentin e duhur se kur duhet të aktivizohen në këtë drejtim. Duhet punë pasi e dini që dhuruesit e gjakut janë kategori njerëzish të cilët lindin rriten plaken dhe kështu mbaron mundësia për të dhuruar më tej. Nga kjo imponohet nevoja për të punuar me brezat e rinj.”,- tha kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
 
Sali: Ministria hartoi program për dhurimin e gjakut
 
Në manifestim mori pjesë edhe ministri i shëndetësisë, Bekim Sali, i cili tha se këto momente janë të rëndësishme për t’i përkujtuar njerëzit se sa i rëndësishëm është dhurimi i gjakut.  
 
“Me qëllim të shtimit të dhurimit të gjakut, Ministria e Shëndetësisë në nivel vjetor hartoi program për organizimin dhe përparimin e dhurimit të gjakut në vend. Për këtë vit, buxheti i programit arrin në 45 milion denarë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Kryq i Kuq, në kuadër të strategjisë për promovimin e aktiviteteve humane siç është dhurimi i gjakut, ndau edhe mirënjohje për qytetarët që dhuruan gjak. 
 
BELINDA KOKA ADEMI