Maqedoni

Stoltenberg: NATO e bashkuar kundër agresionit rus në Ukrainë

24.03.2022 16:32

Vendet anëtare të NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë që ta ndërpresë luftën në Ukrainë...

Vendet anëtare të NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë që ta ndërpresë luftën në Ukrainë menjëherë dhe t’i qaset rrugës diplomatike. Liderët e aleancës  janë pajtuar  në riafirmimin e përkrahjes së Ukrainës, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, por theksoi se mbështetja do të jetë financiare dhe në dhurimin e  mjete luftarake, pa u përplasur direkt NATO-ja me Rusinë.
 
Ndaj Kremlinit do të vazhdojnë sanksionet, ndërkaq është kërkuar nga Kina që t'i bashkohet gjykimit perëndimor kundër luftës brutale në Ukrainë.
 
Në samit me video-mesazh është paraqitur edhe presidenti i Ukrainës,  Zelenski, i cili ka falënderuar NATO-n për mbështetje dhe ka theksuar nevojën për ndihmë më të madhe ushtarake, përcjell, Stoltenberg.
 
“Aleatët e NATO-s i ofrojnë mbështetje të konsiderueshme Ukrainës. Ofrojmë armë, sisteme të avancuara, drone, anti-tank dhe  ndihma financiare. Në të njëjtën kohë ne kemi përgjegjësi për të siguruar që ky konflikt të mos kthehet në një luftë të plotë midis Rusisë dhe NATO-s. Pushtimi i presidentit rus në Ukrainë ka ndryshuar mjedisin e sigurisë për një afat të gjatë. Është një realitet i ri dhe sigurisht ky është shqetësim i madh për të gjithë aleatët.”,- tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Mishel: T’i implementojmë sanksionet ndaj Rusisë 
 
Rusia duhet patjetër të humb në këtë betejë dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse organizatat ndërkombëtare bashkohen në politikë dhe  vendimmarrje, tha kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
 
“Duhet ta mbështesim Ukrainës sa më shumë që mundemi dhe duhet t’i implementojmë sanksionet në mënyrë që t’i bëjmë presion Kremlinit. Së bashku me G7-ën, NATO-n, BE-në duhet të punojmë shumë, sepse kjo luftë patjetër të përfundojë.”,- theksoi kryetari i Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
 
Kovaçevski: Agresioni rus ndaj Ukrainës prishi imazhin e paqes
 
Në të njëjtën vijë me vendet anëtare të  paktit veri-atlantik ishte edhe kryeministri i vendit, Kovaçevski. Agresioni rus ndaj Ukrainës prishi imazhin e paqes dhe sigurisë në qark ndërkombëtar, tha i pari i qeverisë sonë.
 
“Jemi dëshmitarë të një numri të madh sfidash evropiane dhe të tërë botës. Ishim të sigurt se paqja në Evropë asnjëherë nuk do të ndërpritej me  agresione si kjo ruse ndaj Ukrainës dhe kjo paraqet shkelje të paparë të  integritetit dhe sovranitetit territorial të një shteti të pavarur. Sot të gjithë vendet e NATO-s janë bashkë dhe do ta japim përkrahjen tonë për popullin ukrainas.”,- u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Anëtarët e NATO-s janë dakorduar për mbështetje shtesë ndaj Ukrainës, përfshirë ndihmën për siguri kibernetike si dhe në pajisjet për t’u mbrojtur nga kërcënimet kimike, biologjike dhe bërthamore. Po ashtu shefat e shteteve të aleancës janë unifikuar për përforcimin e sigurisë së krahut lindor të Aleancës me dërgimin e trupave ushtarakë në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU