Botë

30 ditë luftë në Ukrainë, Zelenski video-mesazh në samitin e NATO-s

24.03.2022 17:13

Nëpërmjet një video-mesazhi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky...

Nëpërmjet një video-mesazhi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i është drejtuar samitit të aleancës, ku është diskutuar për luftën në Ukrainë. Zelenski me këtë rast ka njoftuar se Rusia gjatë sulmeve të saj ka përdorur bomba fosfori ku pësuan civilët.     
 
“Sot në mëngjes, meqë ra fjala, kishte bomba fosfori. Bomba ruse me fosfor. Përsëri u vranë civilë, u vranë përsëri fëmijët. Unë vetëm dua që ju të dini se Aleanca mund të parandalojë ende vdekjet e ukrainasve nga sulmet ruse, nga pushtimi rus, duke na siguruar të gjitha armët që na duhen.”,- tha presidenti i Ukrainës, Volosimir Zelenski. 
 
Putin: Gazi rus të paguhet me rubla 
 
Nga ana tjetër, Rusia thotë se Perëndimi e shfrytëzon Ukrainën si mjet për arritjen e qëllimeve politike. Po ashtu Rusia kushtëzon që gazi rus të paguhet me rubla.                                                                         
“Vendet “jomiqësore”duhet që gazin natyror ta paguajnë me rubla. Çmimet evropiane të gazit u rritën për shkak të shqetësimeve se masa do të përkeqësonte krizën energjetike të rajonit, prandaj nëse doni gazin tonë, blini monedhën tonë.”,- u shpreh presidenti i Rusisë, Vllasimir Putin.
 
Kuleba: Kërkesa e Putinit poshtëruese
 
Ministri i jashtëm i Ukrainës i quajti poshtëruese kërkesat e Putinit dhe tha se një  Evropë “e përgjegjshme” do të injorojë këto kërkesa.   
                                                                                              
“Nëse ndonjë vend i BE-së përkulet ndaj kërkesave poshtëruese të Putinit për të paguar naftën dhe gazin në rubla, do të jetë si të ndihmosh Ukrainën me njërën dorë dhe të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit me anën tjetër.”,- u shpreh ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.
 
Ndërkohë, forcat ruse kanë vazhduar sulmet në më shumë rajone të Ukrainës, ndërsa në shënjestër kishin objektivat ushtarake por edhe ato civile, bazuar në të dhënat e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ukrainase.
 
Janë bombarduar rajone në Kiev, Çernihiv dhe Kharkiv. Por, shtabi i përgjithshëm në Kiev tha se forcat ukrainase kanë zmbrapsur me sukses sulmet ruse, të cilat besohet të kenë humbur edhe disa forca ajrore.
 
Lufta në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt dhe ka bërë plotë një muaj. Gjatë invazioni rus të paktën 977 civilë janë vrarë deri më tani në këtë konflikt. Agjencia e OKB-së për refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 3.6 milionë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU