Maqedoni

Forumi për Ndryshime në Arsim: Një bord i pavarur të matë suksesin në universitete

24.03.2022 17:32

Forumi për Ndryshime në Arsim, në bashkëpunim me organizatat tjera joqeveritare...

Forumi për Ndryshime në Arsim, në bashkëpunim me organizatat tjera joqeveritare si dhe ekspertë të arsimit, kërkojnë krijimin e një bordi të pavarur, i cili do të bënte matjen e suksesit të universiteteve publike në RMV.
 
Sipas këtij forumi, kjo matje do të kontribuonte për demonopolizimin e arsimit të lartë, duke parandaluar rizgjedhjen në detyrë të rektorëve që janë dëshmuar si të paaftë në udhëheqjen e universiteteve publike. 
 
“Kemi identifikuar disa nga faktorët e cilësisë së dobët të universiteteve publike në Maqedoninë e Veriut, përveç faktorëve politikë dhe ekonomikë të cilët shpeshherë janë të pashmangshëm për shkak të rrethanave në vendin tonë, një ndër faktorët më shqetësues sipas FNA-së, është tendenca dhe apetiti i disa personave në krye të këtyre institucioneve, gjegjësisht rektorëve, për t’i privatizuar ato në mënyrë që në asnjë moment të mos iu rrezikohet pushteti absolut që shumica prej tyre kanë arritur të krijojnë me institucionet me të cilët ata udhëheqin. Padyshim që jetëgjatësinë e tyre në krye të këtyre institucioneve e sigurojnë edhe përmes lidhjeve me eksponentë të politikës.”,- deklaroi drejtori ekzekutiv i FNA-së, Blendi Hodai.
 
Hodai tha se më shumë se gjysma e rektorëve të universiteteve publike në vend janë në këto pozita për më shumë se dy mandate e disa edhe për dhjetë vite me radhë.
 
Universitetet në RMV duhet të jenë të hapura, transparente dhe cilësore, tha Hodai, duke shprehur gatishmërinë e shoqërisë civile që të kontribuojë në këtë drejtim. Deklaratën e mbështesin “Forumi për ndryshime në arsim”,
 
“Këshilli rinor nacional i RMV-së”, “Qendra për edukim dhe zhvillim CET”, “Qendra për mundësi të barabarta - Mollëkuqja”, “Organizata për digjitalizimin e arsimit APSITI”, “Organizata për digjitalizimin e arsimit”, “Organizata për integrim multi-kulturor – INKLUSION” dhe “Organizata për zhvillim të qëndrueshëm SFERA INTERNATIONAL”. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI