Maqedoni
Këtë fundjavë fillon llogaritje verore e kohës
25.03.2022 09:34
Nga e diela fillon llogaritja verore e kohës...

Nga e diela fillon llogaritja verore e kohës. Natën midis të shtunës dhe të dielës akrepat e orës do të zhvendosen për një orë përpara që do të thotë se në vend se të jetë ora dy do të jetë tre.
Llogaritja verore e kohës fillon në fundjavën e fundit të marsit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të tetorit.
Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ’70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, mundësohet kursimi i konsumit të energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.
Kalimi i kohës verore dhe dimërore për herë të parë është vërejtur në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore, ndërsa deri më tani është vendosur në rreth 70 vende, kryesisht në hemisferën veriore.
Akrepat nuk zhvendosen në të njëjtën kohë kudo në botë. Kështu, SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2007 e vendosën që llogaritja verore e kohës të fillojë në javën e dytë të marsit dhe të përfundojë në javën e parë të nëntorit.
Rusia tërësisht e ka hequr përllogaritjen dimërore të kohës në vitin 2011, ndërsa Islanda është vendi i vetëm evropian i cili nuk vendosi llogaritje dimërore dhe verore të kohës.
Megjithatë, disa astronomë janë kundër zhvendosjes së akrepave dhe “zgjatjes” artificiale të ditës, pasi që vlerësojnë se natyra nuk duhet “munduar” madje edhe nëse arsyetohet me llogaritje ekonomike.
