Maqedoni

RMV mundi Italinë 1-0, tifozët maqedonas festë me thirrje antishqiptare

25.03.2022 13:19

E pamundura u bë realitet, Maqedonia e Veriut gjunjëzoi kampionen e Europës, Italinë, me rezultat 1 me 0...

E pamundura u bë realitet, Maqedonia e Veriut gjunjëzoi kampionen e Europës, Italinë, me rezultat 1 me 0, duke qenë kështu më pranë se kurrë ëndrrës për plasmanin e parë në një kampionat botëror. Padyshim që është një fitore historike dhe është e kuptueshme ekzaltimi i qindra tifozëve që u mblodhën në sheshin Maqedonia për të festuar fitoren. Të pakuptueshme e të paarsyetueshme në këtë atmosferë fitoreje, ishin thirrjet “Shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”, të kënduara në korr nga ata tifozë nacionalistë.
 
Ata harrojnë se fanelën e reprezentacionit me krenari nuk e mbajnë në trup vetëm lojtarët maqedonas etnikë, por edhe shqiptarët Arian Ademi, Enis Bardhi e Ezgjan Alioski, të cilët në asnjë moment nuk heqin dorë nga lufta në fushë për t’i sjellë fitoren reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut. Përkundrazi. Tashmë me golat e tyre kanë treguar se ishin  vendimtarë edhe në fitoret e kaluara të reprezentacionit, e do të jenë edhe në të ardhmen. Thirrjeve rraciste duhet tu vijë fundi e autorët e tyre duhet të dënohen. Vetëm kështu do të tregojmë se Maqedonia e Veriut i trajton njësoj të gjithë qytetarët e saj. Vetëm kështu do t’i gëzohemi të gjjithë njësoj fitoreve të kombëtares, që jep maksimumin për fitore pa dalluar etnikisht lojtarët e saj. Ka ikur koha e “Shqiptarëve të mirë të vdekur”.  Është  koha e thirrjve të fuqishme në korr të emrit të Enisit dhe Arianit, por edhe të emrave të tjerë të futbollistëve të rinj shqiptarë,  që do na bëjnë të gjithëve krenarë në fitoret e radhës.