Botë
Serbët e Kosovës në protesta, Kurti: Beogradi po tregohet destruktiv
25.03.2022 15:33
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar një letër ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog...

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka dërguar një letër ambasadorit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë më 3 prill, edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Sipas Kurtit, është për keqardhje që derisa Kosova punon me BE-në dhe vendet e QUINT-it për të gjetur zgjidhje të pranueshme ndërmjet dy qeverive, strukturat ilegale të Serbisë mundohen të organizojnë zgjedhje në Kosovë sikur të mos ekzistonte qeveria e saj.
Në letrën e Kurtit thuhet se Beogradi në kërkesën e tij për organizimin e zgjedhjeve as që e përmend Qeverinë e Kosovës, por e quan atë “autoritet relevant qeverisës të Kosovës”. Njëherit Beogradi e përdor termin “votues me të drejtë vote” në vend se ta përdorte “votuesit jashtë vendit. Sipas tij, është e rëndësishme që kjo përpjekje e Serbisë të mos legjitimohet nga autoritetet e BE-së apo OSBE-së.
Ndërkohë të organizuar nga Lista Serbe, serbët e Kosovës kanë protestuar në Veri të Mitrovicës dhe në Graçanicë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë. Pas protestës, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka njoftuar e pezullojnë punën në institucionet e Kosovës. Rakiq, i cili është ministër në Qeverinë e Kosovës, bëri të ditur se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Liliana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për shkak të pjesëmarrjes në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mehaj: Serbia ka për qëllimin destabilizimin e Kosovës
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thot se Serbia ka për qëllimin destabilizimin jo vetëm të Kosovës por edhe rajonit, por sipas tij Kosova është e sigurt dhe se nuk bie pre e kërcënimeve apo shantazheve.
“Serbia nuk ka hequr kurrë tendencat e tyre për të destabilizuar Kosovës, as Malin e Zi e as Bosnjën. Kanceri i Evropës, apo kanceri i Ballkanit ka qenë gjithmonë Serbia, tërë luftërat që janë krijuar në Ballkan janë krijuar nga Serbia, Kosova nuk e ka sulmuar kurrë askënd. Prej Sllovenisë kanë krijuar luftë, në Bosnje, Kroaci, në Kosovë që e kemi pasur luftën e fundit, pro ju e keni parë ndërhyrje politike në Mal të zi. Siç kanë thënë pleqtë duhet me u përgatitë për më të keqen e me shpresu më të mirën. Organet tona të sigurisë kanë kontrollin e duhur, policia është në dijeni, inteligjenca policore, doganat, AKI, i kanë informatat e duhura, ndërmarrin veprimet e duhura.”, tha Armend Mehaj, ministër i Mbrojtjes i Kosovës.
Ndërkohë ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre për rrezikun e përshkallëzimit apo dhunës në protesta. Vendet e Quint-it dhe BE-së, poashtu kanë përsëritur thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga secila retorikë apo vendim, që mund të çojë në rritje të tensioneve.
GYLTENE SINANI
