Maqedoni

Anëtarësimi në BE, Kovaçevski: Zvarritja, në favor të palëve anti BE

25.03.2022 15:52

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk siguron që fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk siguron që fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian mund të ndodh deri në qershor por, paralajmëron se stërzgjatja e procesit rrit euroskepticizmin dhe krijon terren të përshtatshëm për palët e treta, që nuk e duan Maqedoninë në BE. Në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë,  Kovaçevski tha se palët e treta kanë gjetur partnerë edhe në skenën politike vendore dhe i financojnë ato.
 
“Mosplotësimi i mbajtjesë së konferencës së parë ndërqeveritare e rrit skepticizmin te grupe të caktuara, në një proces kaq të gjatë. Gjithashtu ekzistojnë shtete të treta të cilat nuk duan ta shohin RMV-në pjesë të BE-së dhe që financojnë grupe të ndryshme në shtet, madje edhe parti politike. Ne kemi parti politike me përcaktim anti evropian dhe anti-NATO.”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
 
Bisedimet me Bullgarinë, Kovaçevski: Ende s’ka dokument të harmonizuar
 
Në ndërkohë vendi vazhdon përpjekjet për të arritur marrëveshje me fqiun lindor, Bullgarinë, për planin pesë pikësh. Zgjidhja duhet të bazohet në vlera evropiane dhe të jetë e qëndrueshme thotë Kovaçevski.
 
“Në çështjet katër plus një punohet nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Maqedonisë dhe ajo e Bullgarisë. Po këmbehen ide. Për momentin nuk ka dokument të harmonizuar dhe kur do të ketë një document të tillë sigurisht se ai do t’u kumtohet institucioneve relevante në shtet dhe më pas edhe opinionit.”, tha Kovaçevski.
 
Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut vazhdon të kordinojë politikën e saj të jashme me partnerët e saj. Sipas Kovaçevskit, situata në Ukrainë dëshmoi se sa me vlerë është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO. Në Samitin e jashtëzakonshëm të Aleancës, Kovaçevski ka njoftuar partnerët se vendi do të ndajë 2% nga buxheti për armatën, deri në vitin 2024.
 
SHPËTIM NUREDINI