Kadriu: Jemi në terren, po punojmë pa pushim
Ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë” punon gjatë gjithë 24 orëve në terren dhe me përkushtim të plotë ka angazhuar mbi 650 persona dhe 250 makina të cilat edhe pse janë të amortizuara, servisohen vazhdimisht...

Kështu deklaron drejtori i ndërmarrjes Gajur Kadriu i cili thotë se punën e bëjnë në bazë të kushteve makinerike që i kanë.
Ai shton se bllokimi disa orësh i rrugës Kërçovë-Ohër, nuk është për faj të kësaj ndërmarrje por për shkak të mosdurimit të qytetarëve dhe reagimit të vonshëm të policisë rrugore.
“Punëtorët dhe të punësuarit të cilët janë në terren punojnë 24 orë, punojnë me mjete vërtetë problematike dhe duhet edhe oragnet tjera tu ndihmojnë që detyren ta kryejnë si duhet” – tha drejtori i N.P. Rruget e Maqedonise, Gajur Kadriu.
Kadriu ka nënvizuar se pjesa dërmuese e punonjësve janë vozitës të mjeteve speciale, por edhe pjesa e administratës janë të gatshëm për ndihmë.
“Për rrugët kryesore të prioritetit të parë dhe të dytë janë 250 makina, të cilat janë të vjetëruara por nuk janë në gjendje që mos punojnë. E vërtetë është se kanë defekte të shpeshta por pas tyre rrinë ekipet e servisimit, i cili gjithashtu është në gjendje kujdestarie 24 orë, defektet i mënjanojnë brenda disa orëve dhe makinat janë përsëri në teren. Këto makina është e vërtet se janë të amortizuara por janë të servisuara dhe teknikisht janë të gatshme për veprim në kushte dimërore” – tha drejtori i N.P. Rruget e Maqedonise, Gajur Kadriu.
Kadriu shpreson që vitin e ardhshëm të përmirësohet gjendja me makineritë e kësaj ndërmarjeje që të munden në kohë të kryejnë detyrat e tyre. Gjithsesi për momentin rrugët magjistrale dhe rajonale janë të kalueshme, por vozitësit duhet të kenë kujdes të veçantë sidomos në pjesët malore, Gostivarit deri në Strazhë, Kërçovë – Ohër, ndërsa pjesët prej Struge deri në Qaf Thanë janë të pastruara por gjithsesi duhet shumë kujdes. (Mefail Ismaili, TVM2)
