Strugë, shërbime sociale personave me aftësi të kufizuara
Në Strugë do të ketë shërbime të reja sociale....

Në Strugë do të ketë shërbime të reja sociale për personat me aftësi të kufizuara. Kujdesi familjar dhe kujdesi në shtëpi janë dy shërbimet e reja që do të prezantojë organizata joqeveritare “Poraka Nova”.
Prindërit do të zëvendësohen me njerëz të cilët janë të trajnuar për tu kujdesur për personat me aftësi të kufizuara. Për herë të parë, personat me Alzheimer, sklerozë të shumëfishtë dhe personat që kanë nevojë për kujdes paliativ do të marrin kujdes dhe ndihmë.
Ky është një projekt pilot dhjetë mujor, i cili duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Zëvendësimi i prindit në përgjegjësitë e tij të përditshme rreth personit me aftësi të kufizuara. Në kuadër të këtij shërbimi, kujdestarët do të punojnë me personat me aftësi të kufizuara. Kujdesi në shtëpi është për njerëzit me sklerozë të shumëfishtë, pacientët me Alzheimer dhe njerëzit që kanë nevojë për kujdes paliativ. Pra, këto janë tre lloje të kujdestarëve që do të trajnohen në periudhën e ardhshme” – tha Anita Gagovska nga OJQ “Poraka Nova”.
Pas trajnimit tre mujor, kujdestarët do të punësohen në organizatën “Poraka Nova” në Strugë, dhe më pas do të lidhen me personat që kanë nevojë për shërbimin dhe do të punësohen me kohë të plotë.
“Është planifikuar të punësohen 20 kujdestarë, por në këtë periudhë kemi vërejtur se ka pak interes tek popullata për t'u punësuar si kujdestarë. Nuk e di arsyen për këtë, ata marrin një licencë të njohur nga MASH, e cila përndryshe kushton shumë dhe këtu e marrin falas. Për periudhën e trajnimit dhe do të paguhen plus punësim të garantuar më pas.” – u shpreh Gagovska.
Në Strugë që nga viti i kaluar ka edhe asistentë personalë që ndihmojnë të moshuarit dhe personat që kanë probleme më të mëdha shëndetësore. Shërbimet e reja sociale do ta bëjnë jetën më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre. (Ilmije Zhaku, TVM2)
