Karvani për vaksinim sot u realizua në Kumanovë
Në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë....

Në organizim të Ministrisë së Shëndetësisë e me mbështetje nga OBSH-ja, UNICEF-i dhe USAID-i, Karvani i vaksinimit anti-kovid sot qëndroi në sheshin e qytetit të Kumanovës.
Moti i mirë bëri që në ambulancën mobile në sheshin e qytetit të vijnë numër i konsiderueshëm i kumanovarëve, por ajo që bie në sy interesimi kryesisht ishte për dozen e tretë të vaksinës anti covid.
“U vaksinova, edhe përkundër sëmundjeve të ndryshme që kam, e pasi që jam edhe në moshë të shtyer, me dëshirë pranova të marr edhe dozën e tretë të vaksinës”, - tha një qytetar.
“Pranova të vaksinohem me dozën e tretë dhe ndihem shumë mirë tani për tani, mandej shohim nëse ka ndonjë reaksion. Apeloj deri te të gjithë ata që nuk janë vaksinuar që të vaksinohen për të mirën e të gjithëve”, - tha një qytetar.
Edhe nga Shtëpia e Shëndetit Kumanovë, për televizionin tonë njoftojnë se kohëve të fundit interesim të shtuar të popullatës për vaksinim ka kryesisht për dozën e tretë.
“Në rajonin e Kumanovës ne si pikë e vaksinimit kemi arritur mbi 105 mijë doza, nga të cilat kemi doze të parë, të dytë dhe të tretë”, - u shpreh Koordinatori i pikës së vaksinimit – Kumanovë, Valdrin Miftari.
“Sigurisht se kohëve të fundit regjistrojmë një numër të ulët të qytetarëve të cilët vijnë për tu vaksinuar, ka prej tyre që kanë pranuar dozën e pare, por ngurrojnë të marrin edhe dozën e dytë dhe të tretë, por deri tani si armë e vetme për të luftuar Pandeminë e Korona Virusit është vaksinimi i cili parandalon format e rënda të sëmundjes dhe vdekjes”, - deklaroi mjekja në ISHP Shtëpia e Shëndetit – Kumanovë, Dr.Monaliza Mehmeti.
Ndryshe, Karvani i vaksinimit të Hënën do të qëndrojë në komunën e Likovës gjegjësisht në fshatin Mateç, në periudhën nga ora 12:00 deri në ora 16:00, andaj ftohen qytatrët e kësaj komune që të mos lëshojnë rastin për tu vaksinuar. (Fatlum Aqifi, TVM2)
