Fati i modelit zgjedhor, te partitë e mëdha
Në përpjekje për të ndryshuar modelin zgjedhorë.....

Në përpjekje për të ndryshuar modelin zgjedhorë edhe atë nga gjashtë në një njësi dhe me prag natyral deputeti Pavle Trajanov thotë se veç partive të vogla këtë e mbështesin edhe LSDM dhe VMRO-DPMNE.
Propozimet sipas tij do t’i nënshtrohen një debati publik për të ndërtuar një konsenzus të gjërë qytetarë dhe politik ndërsa nuk përjashton edhe mundësinë për bllokimin e procesit.
“Ne propozojmë një prag natyral, që do të thotë që nëse janë p.sh. një milion e dyqind votues, do të thotë se do të nevojiten 10 mijë vota për një deputet ndërsa nëse janë më pak numri i përgjithshëm i votuesve ndahet me 120 deputetë.Në të kundërtën nëse hapet çështja e pragut, mund të flasim edhe për këtë. Synimi ynë është që përmes argumenteve të dialogut të ndërtojmë një konsensus më të gjerë qytetar dhe politik” – tha Pavle Trajanov nga PL.
Edhe nga LSDM thonë se mbështesin propozim ndryshimet në Kodin Zgjedhorë që parashikojnë krijimin e një njësie zgjedhore.
“Ne si Lidhje Socialdemokrate e mbështesim plotësisht, në fakt një nga angazhimet tona programore që nga viti 2016 ka qenë një njësi elektorale. E mbështesim dhe e mirëpresim gjithë këtë me qëllim të rritjes së të drejtave demokratike të qytetarëve dhe kapaciteteve demokratike të shtetit. Besoj se të gjitha partitë politike do të mbështesin dhe votojnë për një njësi zgjedhore” – tha Darko Kaevski.
Nga VMRO-DPMNE thonë se mbështesin ndryshimet në Kodin Zgjedhorë por sipas tyre duhet diskutuar pragun dhe nëse listat me kandidatë duhet të jenë të hapura apo jo.
Bashkimi Demokratik për Integrim këmbëngul që ligji të miratohet me konsensus etnik dhe partiak për të respektuar interesat e të gjitha shtresave të shoqërisë. Ndërkohë nga Aleanca për Shqiptarët thonë vendit i duhet ndarje në 8 njësi zgjedhore. (Naim Ramadani, TVM2)
