Dy vjet nga antarësimi në NATO, siguri, sukses historik dhe objektiv strategjik
Anëtarësimi në aleancë është shumë më tepër se siguri....

Anëtarësimi në aleancë është shumë më tepër se siguri dhe mbrojtje e garantuar e qytetarëve tanë. Të jesh pjesë e NATO-s do të thotë të përmbushësh të gjitha standardet e botës së qytetëruar, si mbrojtja e të drejtave të njeriut, solidariteti midis kombeve dhe promovimi i demokracisë, ka theksuar kryeministri, Dimitar Kovaçevski me rastin e dy vjetorit të antarësimit në vendit në NATO.
“ Si anëtare e NATO-s do të vazhdojmë aktivisht të marrim pjesë në të gjitha aktivitetet e Aleancës dhe ta ndërtojmë aleancën me partnerët tanë. Ky përcaktim do të thotë zhvillim afatgjatë për vendin tonë dhe e ardhme e sigurt për fëmijët tanë”, - shkruan Kovaçevski.
Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani antarësimin në NATO e ka cilësuar sukses historik për Maqedoninë e Veriut dhe garanci të fortë për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e vendit.
Sipas shefit të diplomacisë, në rrethanat aktuale, më me rëndësi është të kemi miq të vërtetë dhe aleatë me të cilët bashkarisht do t’i formojmë vendimet më të rëndësishme dhe do të kontribuojmë për sigurinë tonë të përbashkët.
“Sot shënojmë dy vite nga anëtarësimi i Maqedonisë të Veriut në NATO, arritja jonë më e madhe e politikës së jashtme dhe verifikimi më i rëndësishëm politik i shtetësisë sonë. Flamuri jonë valëvitet së bashku me 29 flamujt e aleatëve të NATO-s, duke dëshmuar për unitetin dhe solidaritetin mes vendeve partnere në këto kohë të sfidave të sigurisë me të cilat përballemi”- thekson Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ministrja e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska në profilin e saj në Facebook ka theksuar se dita e sotme, 27 mars, është ndër më të rëndësishmet që nga shpallja e pavarësisë së vendit.
“Data e sotme është një nga më të rëndësishmet që nga shpallja e pavarësisë së vendit, ditë kur përmbyllëm bjektivin strategjik -anëtarësimin në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike. Së bashku jemi më të fortë”, ka shkruar ministrja Petrovska. (Naim Ramadani, TVM2)
