Psikologët: Dhuna psikologjike, femrat pre e shpeshtë e dhunës në familje

27.03.2022 16:18

Dhuna psikologjike në familjet shqiptare

Dhuna psikologjike në familjet shqiptare është fenomen i pranishëm dhe i trashëguar nëpër breza, në veçanti ndaj femrës.

Sipas statistikave çdo e dyta femër është pre e dhunës psikologjike në familje dhe kjo dukuri nuk shkaktohet vetëm nga burrat por shpesh herë femra ia shkakton një femre tjetër.

Kjo dukuri është mjaft shqetësues thotë psikologia, Hatixhe Sefa e cila trajton edhe gra me depresion të thellë.

“Anëtarët e familjes shpesh mund të identifikohen si shkaktar të dhunës psikologjike, duke qenë të gjinisë së njejtë apo të ndryshme, më të ri apo më të vjetër në moshë. Duke kufizuar, duke kontrolluar, duke mbajtur si pronë gruan në familje, ajo përjeton shqetësime emocionale, ndonjherë edhe torturë psikologjike e cila më pas mund të pasojë me ankth, depresion dhe çrregullime të tjera psikologjike” – tha psikologja e Q.T.P “Savani”, Hatixhe Sefa.

Çrregullimet emocionale dhe psiqike të cilat i përjeton femra shqiptare në vendet tona jo çdoherë marrin trajtimin e duhur, ngase nuk merren parasyshë shqetësimet e saj ose kërkojnë trajtim në vende jo adekuate.

“Shpesh femrat mund të jenë në depresion, ndërsa ilaçin për atë e kërkojnë në shumë dyer duke mos trokitur në derën e psikologut sepse diagnozat i marrin nga vetë gratë apo anëtarët tjerë të familjes të cilët udhëzojnë personin e trazuar në vende të ndryshme duke qenë i rrallë ose asnjëherë ai udhezim adekuat për tek psikologu apo psikiatri. Në raste të caktuara ankthi shtypet, injorohet dhe nuk i jepet as e drejta e ankesave femrave të cilat realisht vuajnë dhe kështu kjo pastaj vazhdon edhe me dhunë fizike derisa ajo grua nga një person me shëndet mental të mirë, rëndohet dhe kalon në një gjendje e cila bëhet shumë e vështire për tu trajtuar” – thotë psikolgja Hatixhe Sefa.

Psikologët apelojnë që personat të cilët janë pre e kësaj dhune ta paraqesin të njejtën në organet kompetente, të kerkojne ndihmë nga psikologu për të trajtuar shqetësimet dhe të marrin në duart e tyre timonin e jetës së tyre.

Sefa, thotë se femrat duhet të mbështesin femrën me shqetësime të tilla, qoftë antare e familjes, mikeshë, një komshijë etj. 

Ata nuk duhet të shkojnë vetëm nëpër prisa fetarë por duhet të trokasin edhe në dyert e psikologëve sepse pasojat mund të kenë përfundim fatal. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)