Ulqin, u mbajtën zgjedhjet vendore
Në Komunën e Ulqinit, në Malin e Zi....

Në Komunën e Ulqinit, në Malin e Zi, u mbajtën zgjedhjet vendore ku garuan 5 lista zgjedhore.
Partitë politike shqiptare garuan të ndara në tri lista zgjedhore, kurse për herë të parë formuan një koalicion parazgjedhor nga dy partitë politike shqiptare dhe nga tri parti qytetare, në mesin e të cilëve është edhe Lëvizja Qytetare “URA” e mandatarit për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Sipas KKZ-së pjesëmarrja e votuesve deri në orën 19:00 në Ulqin ishte 50.15 %.
Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve të Ulqinit, Vlado Filipoviq, ka thënë se dita e zgjedhjeve ka qenë e qetë sipas rregullave.
Kryetari i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Berane, Vladimir Obradoviq, tha se pjesëmarrja në këtë qytet deri në ora 19:00 është 60.68 %, që është më e ulët në krahasim me zgjedhjet parlamentare të gushtit 2020.
Rezultatet e para, siç tha ai, priten pas mesnate. Gjatë një konference për media në Ulqin, kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviç, ka thënë se beson që lëvizja qytetare që ai drejton do t’i fitojë zgjedhjet.
Kuvendi i Ulqinit numëron 33 vende dhe ato forca politike që fitojnë shumicën zgjedhin kryetarin e komunës.
Të drejtën e votës në Komunën e Ulqinit e kanë mbi 20 mijë qytetarë, në 38 vendvotime.
Zgjedhjet për komunën më të madhe me shumicë shqiptare në Mal të Zi, cilësohen si tejet të rëndësishme për këtë komunitet pasi forcat politike shqiptare, që nga pluralizmi në Mal të Zi, e kanë mbajtur pushtetin në Komunën e Ulqinit.
