Maqedoni

Gir viziton Tetovën, “Europe House” së shpejti edhe në Tetovë

28.03.2022 17:28

Komuna e Tetovës në bashkëpunim me BE-në është në fazë të realizimit të shumë projekteve...

Komuna e Tetovës në bashkëpunim me BE-në është në fazë të realizimit të shumë projekteve, të cilat do të kalojnë në plan praktik për mirëqenien e qytetarëve duke nisur nga rrugët, infrastruktura, krijimi i hapësirave të gjelbërta, digjitalizimi i administratës, si dhe zvogëlimi i ndotjes së ambientit jetësor përmes ndërtimit të stacioneve të filtrimit të ujërave të zeza,theksoi kryetari i Tetovës Bilall Kasami pas vizitës me ambasadorin David Geer.
 
“Gjithmonë kemi pasur një përkrahje të afërt nga misioni I Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim ne si administrate e re e komunës do të punojmë intensivisht që Bashkimin Evropian ta biem edhe në Tetovë. Simbolika e kësaj është edhe një projekt konkret që ka të bëjë me shtëpinë e BE-së në Tetovë që besojmë se në një bashkpunim të afërt me misionin e BE-së do ta realizojmë edhe në Tetovë”, u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
 
Ambasadori Geer, konfirmoi mbështetjen e BE-së për komunën e Tetovës me qëllim të permirësimit të cilësisë dhe jetës së qytetarëve. 
 
“Biseduam për tre projekte kyçe, i pari është përmirësimi i mjedisit, përmes projekteve për më shumë gjelbërim, impiante trajtimi, ndërtimi i fasadave me efikasitet energjetik të 14 objekteve në qytet. I dyti u drejtohet të rinjve, përmes aftësive dhe arsimit profesional të bëhet më tërheqës në tregun e punës. Dhe projekti i tretë është në fakt projekti i nënshkruar javën e kaluar për dixhitalizimin e shërbimeve komunale”, theksoi ambasadori i BE-së në RMV, David Geer.
 
Gir dhe Kasami biseduan edhe për fillim sa më të shpejtë të negociatave me BE-në si çështje e rëndësishme për sigurinë, prosperitetin dhe zhvillimin e vendit.
 
LEUNORA KALIQI