Maqedoni
ShKH “Merhamet”, 3091 pako ushqimore ndihma në prag të Ramazanit
29.03.2022 13:26
3091 pako ushqimore do të shpërndahen në familjet skamnore, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit.....

3091 pako ushqimore do të shpërndahen në familjet skamnore, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. Bëhet fjalë për projekt humanitar të “Qendrës së mbretit Selman për ndihmë dhe punë humanitare” nga mbretëria e Arabisë Saudite, në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore Humanitare “Merhamet”.
“Ne brenda këtyre ditëve deri ditën e premte do të mundohemi që të bëjmë shpërndarjen e ndihmave gjithë familjarëve, t’u ofrojmë ndihmë në veçanti ditën e shtunë kur të fillojë muaji i Ramazanit familjarët veç më të fillojnë këtë muaj dhe sadopak tua lehtësojmë muajin e Ramazanit si dhe jetën e tyre gjatë këtij muaji.”,- deklaroi kryetari i Shoqatës Kulturore Humanitare “Merhamet”, Ridvan Xhaferi.
“Kjo pako ushqimore përmban artikuj kryesorë ushqimorë duke filluar nga mielli, vaji, orizi, makaronat kripa, fasulja etj. Realizimi i këtij projekti ka për qëllim të realizojë objektivat e qendrës në kuadër të Mbretërisë së Arabisë Saudite si në aspektet humanitare, njerëzore, ekonomike dhe sociale.”,- tha Nasir Al Derhi nga Qendra e mbretit Selman për Ndihmë dhe Punë Humanitare.
Donacioni është mirëpritur edhe nga Kryqi i Kuq i Komunës së Çairit, të cilët do të asistojnë në shpërndarjen e ndihmave.
“Këto pako janë shumë domethënëse për popullatën, sidomos gjatë muajit Ramazan, ne këtë bashkëpunim e kemi tradicionalisht me Organizatën “Merhamet”. Falënderoj edhe donatorin edhe organizatën “Merhamet””,- theksoi Alaudin Sulejman nga Kryqi i Kuq Komunal - Çair.
Përveç në Shkup, ndihma do të shpërndahen edhe në 13 komuna të vendit përfshi Kumanovën, Tetovën, Gostivarin, Kërçovën, Strugën, Ohrin, Velesin, Prilepin, Dollnenin, Resnjën dhe Manastirin.
VLORA LATIFI TOPOJANI
