Maqedoni
Dëbimi i pesë diplomatëve rusë, MPJ ruse: Do të veprojmë reciprokisht
29.03.2022 15:53
Ministria e Jashtme ruse ka reaguar ndaj vendimit të Maqedonisë së Veriut për dëbimin e pesë diplomatëve rusë...

Ministria e Jashtme ruse ka reaguar ndaj vendimit të Maqedonisë së Veriut për dëbimin e pesë diplomatëve rusë. Këtë veprim Rusia e ka quajtur akt kundër qytetarëve të saj dhe thekson se Shkupi po punon nën komandën e të huajve. Do të detyrohemi të ndërmarrim masa reciproke, ka thënë Marija Zaharova - zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse.
“Ky hap armiqësor është vazhdimësi e kursit drejt prishjes së marrëdhënieve dypalëshe me Rusinë, të ndërmarrë nga autoritetet maqedonase. Do të detyrohemi të marrim masa reciproke. Duke iu bashkuar histerisë ruso-fobike të nisur nga Perëndimi, Shkupi ka riafirmuar edhe një herë gatishmërinë e tij për të sakrifikuar në mënyrë të pamatur sovranitetin dhe për të marrë vendime që bien ndesh me ndjenjat publike dhe në kundërshtim me interesat e rrënjosura kombëtare”, thekson zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Zaharova, në një postim në Twiter.
Maqedonia e Veriut shpalli pesë diplomatë rusë “persona non grata”, me arsyetimin se punonjësit e lartpërmendur kanë kryer aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike.
Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, përmes një note dorëzuar ambasadorit rus në Shkup, Sergej Badnikin, ka kërkuar që pesë nëpunësit diplomatikë në Ambasadën ruse, të largohen nga territori i vendit në afat prej pesë ditësh.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
