Avokati i Popullit: Të kufizohen kamatat e përmbaruesve
Raporti vjetor i institucionit Avokati i Popullit...

Raporti vjetor i institucionit Avokati i Popullit edhe këtë vit sjell ankesa dhe konstatime të shumta për shkelje të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në sektorin e jurisprudencës, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e konsumatorëve.
Nga parashtresat në sferën e jurisprudencës gati një e treta ka të bëjë me punën e përmbaruesve dhe kamatat e larta, për të cilat Avokati i Popullit kërkon zgjidhje ligjore.
“Është e palejueshme që kamata të jetë trefish më e lartë se sa borxhi bazë që debitori e ka ndaj kreditorit. Mendoj se duhet urgjentisht të intervenohet. Avokati i Popullit do të ngrit iniciativë që të ndryshojë ligji për marrëdhënie obligative dhe të kufizohet niveli i kamatës.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.
EVN faturon paushall, t’i lexojë orëmatësit
Një numër i madh i parashtresave të parashtruara ishin në lidhje me fushën e të drejtave të konsumatorëve, sidomos në pjesën e distribuimit të energjisë elektrike.
“Në bazë të rregullativës pozitive, operatorët që bëjnë furnizimin me energji elektrike janë të obliguar që njëherë në vit ta bëjnë leximin e matësit. Ky fakt shkakton probleme serioze për qytetarët, sepse shpeshherë operatori, në këtë rast EVN, faturon llogari paushall, pa e lexuar matësin e energjisë elektrike dhe jo çdoherë faturat pasardhëse nivelizohen. Do ta ngremë edhe njëherë iniciativën që të shihet mundësia që këta operatorë të bëjnë leximin më të shpeshtë të matësve.”,- tha avokati i popullit, Naser Ziberi.
Burgjet e stërngarkuar dhe pa mjekë
Problem i kamotshëm mbeten kushtet në burgjet e vendit. Të burgosurit flenë në dysheme, mungojnë mjekët dhe ligjëratat për të miturit e sistemuar në entet edukuese përmirësuese, me qëllim vazhdimin e procesit arsimor. Kapaciteti real akomodues i të dënuarve është 1947, ndërsa janë hasur 2058 persona të dënuar.
“Kemi konstatuar se ka tendencë të mbipopullimit në disa prej burgjeve. Këtu në veçanti është burgu i Idrizovës, sidomos pjesa e mbyllur, burgu i Prilepit etj. Kemi hasur situata të patolerushme ku të burgosurit detyrohen të shtrihen në korridore në dysheme. Mbrojtja shëndetësore e të burgosurve mbetet plagë e pashërueshme. Gjysma e burgjeve në RMV nuk kanë mjek të përhershëm.”,- tha avokati i popullit, Naser Zyberi.
Një numër i madh i parashtresave kishin të bëjnë me të drejtat e fëmijëve pas inkorporimit të konceptit të ri për arsimin fillor, i cili parashikonte zëvendësimin e librave prej letre me libra digjital.
Avokati i Popullit njoftoi se për këtë qëllim ka kërkuar nga MASh që t’i sigurojë çdo nxënësi pajisje teknike që çdo fëmijë papengesë të mund të arsimohet.
Ziberi kërkoi nga Qeveria dhe Kuvendi të punojnë në pajtueshmëri me Ligjin sa i përket masave për zbatimin e rekomandimeve nga Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit adresoi ankesa edhe sa i përket kushteve dhe buxhetit i cili i është zvogëluar për 30%, që sipas tij është tendencioz për ta ngulfatur institucionin për të mos bërë monitorim institucioneve.
Numri i përgjithshëm i lëndëve sipas të cilave është vepruar në vitin 2021 është 3.075, procedurë është iniciuar për 2.085 parashtresa, nga të cilat në 755 ka konstatuar shkelje dhe është intervenuar. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
