Maqedoni

Tabanoc, u inspektua funksionimi i iniciativës “Ballkani i hapur”

29.03.2022 17:23

Përfaqësuesit e Odave Ekonomike të Iniciativës “Ballkani i Hapur”, Zoran Jovanovski, nënkryetar i Odës ekonomike të RMV-së...

Përfaqësuesit e Odave Ekonomike  të Iniciativës “Ballkani i Hapur”, Zoran Jovanovski, nënkryetar i Odës ekonomike të RMV-së dhe Marko Çadesh - kryetar i Odës Ekonomike të Republikës së Serbisë, qëndruan në pikëkalimin kufitar Tabanoc - Preshevë, ku inspektuan funksionimin e iniciativës rajonale, respektivisht  linjës së gjelbër, e cila përpos lëvizje së lirë të transportuesve dhe mallrave, pritet të japë rezultate edhe në sfera të tjera ekonomike.
 
“Fokusi i “Ballkanit të hapur” pritet të japë rezultate konkrete. Gjithçka që ka qenë deri tash problem, tani më këtë iniciativë pritet të zgjidhet. Të gjitha palët e involvuara pritet të jenë konstruktive. Mendoj se tani në të dy drejtimet do të shihen tabelat, linja të posaçme për kamionë të tre vendeve. Me këtë krijohet klimë që ky bashkëpunim rajonal të maksimalizohet.”,- tha nënkryetari i OE të RMV-së, Zoran Jovanovski.
 
“Përparësia e “Ballkanit të hapur” është që në këto kohë të krizës të tre vendet të bashkëpunojnë edhe për furnizim me ushqim, që edhe po e bëjmë ne me RMV-në dhe Shqipërinë. Ato janë punë të mëdha që mes vete mos të mendojmë për atë se a do të kemi vaj, sheqer apo grurë”,- deklaroi kryetari i OE të RS-së, Marko Çadesh.
 
Të përkujtojmë se iniciativa e bashkëpunimit rajonal “Ballkani i hapur” është ngritur më vitin 2019 nga kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, me qëllim të qarkullimit të lirë të mallrave dhe  njerëzve, që ka për qëllim për zhvillimin e rajonit në shumë sfera.
 
FATLUM AQIFI