Maqedoni
Xhaferi në konferencën e Bërnos, BE të vazhdojë politikat e zgjerimit
29.03.2022 17:42
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, po qëndron në Bërno të Sllovenisë, ku po mbahet konferenca e kryetarëve të kuvendeve të BE-së...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, po qëndron në Bërno të Sllovenisë, ku po mbahet konferenca e kryetarëve të kuvendeve të BE-së. Me këtë rast, Xhaferi edhe një herë potencoi rëndësinë që kanë bashkëpunimet në mes shteteve të BE-së në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në dekadat e kaluara.
Xhaferi në fjalimin e tij potencoi se ky bashkëpunim i ngushtë ka qenë aktiv që nga viti 1995 që ishte edhe momenti i parë kur është vendosur marrëdhëniet diplomatike, me çka u hapën mundësitë për një bashkëpunim mbi marrëveshje në më shumë fusha, sidomos të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Xhaferi nuk la pa përmendur edhe momentin e dytë që ishte kontributi i vendeve të BE-së në arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në vitin 2001.
“Momenti i tretë ka të bëjë me inkuadrimin tuaj të drejtpërdrejtë në tejkalimin e krizës më të madhe politike në vendin tonë në vitin 2015 dhe përpjekjet që i bëtë që ne përsëri të kthehemi në rrugën tonë eurointegruese; dhe momenti i fundit është mbështetja juaj për tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë, si pjesë e parakushteve për fillimin tonë të negociatave për anëtarësim në Union”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi po ashtu përshëndeti bashkëpunimin shumëdekadësh me Parlamentin Evropian, sidomos në suazat e bialogut “Zhan Mone”, i cili kontribuon në masë të madhe në avancimin e dialogut politik në Kuvend dhe apeloi që politikat e zgjerimit të vazhdojnë edhe me RMV-në dhe Shqipërinë.
“Është koha që vizioni juaj për ardhmërinë e Evropën të shndërrohet në vepra, procesi i zgjerimit të vazhdojë me dinamikë më të madhe dhe më në fund të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më shpejtë.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi po ashtu theksoi se Kuvendi ka miratuar një deklaratë me të cilën e ka dënuar sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës, që sipas Xhaferit, ishte vetëm edhe një tregues se RMV është pjesë e botës së lirë dhe pjesë e politikave të përbashkëta me BE-në.
FITIM KRYEZIU
