“Amnesty International”: Liderët botërorë nuk mbajtën premtimet
Organizata “Amnesty International” ka kritikuar liderët botërorë dhe titanët e korporatave për vendosjen e fitimit...

Organizata “Amnesty International” ka kritikuar liderët botërorë dhe titanët e korporatave për vendosjen e fitimit dhe pushtetit përpara njerëzve si dhe për mosmabajtje të premtimeve për një rimëkëmbje të gjerë globale nga pandemia e virusit Korona.
“Lider pas lideri dhanë premtime për të ndërtuar një jetë më të mirë, për të adresuar pabarazitë e thella që përkeqësuan ndikimin e pandemisë”, tha Agnès Callamard, sekretare e përgjithshme “Amnesty International”, duke prezantuar raportin vjetorë.
“Në vend të kësaj, ata kanë paraqitur një fabul tragjike të tradhtisë dhe lakmisë së bashku me titanët e korporatave. Ndërsa kjo ka ndodhur në mbarë botën, efektet kanë qenë më të dëmshme për komunitetet e margjinalizuara, duke përfshirë edhe ato që gjenden në vijën e parë të varfërisë endemike”. “Amnesty International” tha se shpërndarja e shpejt e vaksinave kundër COVID-19 dështoi dhe shtetet e pasura, përfshirë ato të Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara “u furnizuan me më shumë doza sesa iu duheshin, duke mbyllur sytë teksa kompanitë e mëdha farmaceutike vendosën fitimet para njerëzve”.
Ky grup i të drejtave të njeriut tha se dështimi për të pasur një përgjigje globale ndaj pandemisë ndihmoi në krijimin e kushteve për konflikt më të madh dhe padrejtësi më të madhe, duke përmendur paralizën e krijuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që siç u tha, dështoi të veprojë për mizoritë në Mianmar, për shkeljet e të drejtave të njeriut në Afganistan dhe për krimet e luftës në Siri.
Në raport po ashtu përmendet aplikimi i teknologjisë për njohjen e fytyrës në Rusi për të arrestuan protestuesit paqësorë si një shembull se si qeveritë përdorin teknologjinë për të shtypur zërat kritikë. Ndërkaq, në shtetet si Kina dhe Irani, u ndalua qasja në internet në mënyrë që njerëzit të mos mund të publikonin informacione për represionin.
