Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Çekia - dëbim masiv të diplomatëve rusë

29.03.2022 19:15

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe katër shtete evropiane

Përveç Maqedonisë së Veriut, edhe katër shtete evropiane – Holanda, Belgjika, Irlanda dhe Republika Çeke – kanë njoftuar për dëbime masive të diplomatëve rusë, nën dyshimet për spiunim.

Holanda ka njoftuar se do të dëbojë 17 diplomatë rusë, të cilët Ministria e Jashtme holandeze, ka thënë se janë zyrtarë të inteligjencës ruse.

Belgjika ka thënë se do të dëbojë 21 diplomatë rusë, Irlanda, katër dhe Republika Çeke, një diplomat. Ministria e Jashtme holandeze ka thënë përmes një deklarate se ambasadorit rus i është kumtuar lajmi për dëbimet.

“Arsyeja është se ka informacione që tregojnë se këta persona në fjalë, të akredituar si diplomatë, kanë qenë duke vepruar fshehurazi si zyrtarë të inteligjencës”, është thënë në deklaratë. Diplomatët duhet të largohen nga Holanda brenda dy javëve, ka thënë Ministri i Jashtëm holandez, Wopke Hoekstra.

Ministria e Jashtme irlandeze ka thënë se dëbimet kanë ndodhur pasi aktivitetet e diplomatëve “nuk kanë qenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për sjellje diplomatike”.

Ministria e Jashtme çeke ka njoftuar se diplomatit rus – që ka vendosur ta dëbojë – i ka dhënë 72 orë kohë për t’u larguar.

“Së bashku me aleatët, ne jemi duke zvogëluar prezencën e inteligjencës ruse në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ministria çeke.