Regjistrimi i popullsisë, EShS prezanton sot rezultatet përfundimtare
Enti Shtetëror i Statistikave, sot prezanton të dhënat nga regjistrimi i fundit popullsisë, amvisërive dhe banesave...

Enti Shtetëror i Statistikave, sot prezanton të dhënat nga regjistrimi i fundit popullsisë, amvisërive dhe banesave, proces ky që u zhvillua nga 5 deri më 30 shtator të vitit të kaluar.
Të dhënat publikohen para përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, Eurostatit, përfaqësues të trupit diplomatik, zyrave statistikore nga vendet e rajonit dhe institucioneve të cilat kontribuuan në zbatimin me sukses të operacionit statistikor. Në një shtet multietnik si RMV ku të dhënat statistikore gjithmonë janë konsideruar si operacion politik, pyetja që shtrohet është sa të vërteta janë rezultatet, kjo marrë parasysh edhe faktin se regjistrimi i fundit u zhvillua dy dekada më parë në vitin 2002, me rezultate të kontestuara. Shteti u përpoq të zhvillonte një proces regjistrimi në vitin 2011 që filloi, por u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Nga ESHS kanë siguruar se gjithçka është sipas standardeve të Eurostat-it. Regjistrimi i viti të kaluar u zhvillua në kushte pandemie, për herë të parë me metodën e kombinimit të të dhënave. Të dhënat për personat që nuk u gjetën në shtëpi nga regjistruesit, e që më pas as nuk u paraqitën në qendrat e regjistrimit, janë marrë nga shtatë regjistrat e të dhënave bazë - nga Ministria e Brendshme, Ministria e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, PRO, Agjencia e Punësimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministria e Punës dhe Politika Sociale.
Regjistrimi i popullsisë është procesi më i rëndësishëm statistikor për një shtet pasi në bazë të numrave, parashikohen politikat ekonomike, arsimore, lokale, zhvillimore, investuese, bujqësore e të tjera. regjistrimi i viti të kaluar duhet të jetë I fundit me regjistrues në terren. Në vitet e ardhshme pritet që regjistrimi të bëhet vetëm në bazë të regjistrave.
