Maqedoni
Lirohen masat anti-Covid për shkollat nxënësit prej sot pa maska në klasa
30.03.2022 09:37
Nxënësit e shkollave fillore në vend prej sot mësimin do të mund ta ndjekin pa maska mbrojtëse...

Nxënësit e shkollave fillore në vend prej sot mësimin do të mund ta ndjekin pa maska mbrojtëse, pasi dje Qeveria e pranoi rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për lehtësimin e masave anti-Covid.
Vendimi hyn në fuqi prej sot dhe do të vlejë deri në dorëzimin e ndonjë propozimi të ri eventual nga ana e Komisionit për Sëmundje Infektive. Megjithatë, nxënësit që dëshirojnë, munden edhe më tutje të mbajnë maska mbrojtëse gjatë qëndrimit në shkollë. Për mësimdhënësit dhe të punësuarit tjerë në shkolla mbetet obligimi për mbajtjen e maskave.
Krahas kësaj, Qeveria vendosi të fillojë ligjëratat me prezencë fizike në fakultetet në vend. Qeveria miratoi edhe rritjen e kapacitetit maksimal në hapësira të hapura dhe të mbyllura nga maksimumi aktual prej 50 për qind në 75 për qind, me mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse për ngjarje kulturore – teatro, kinema, filarmoni, si dhe seminare, trajnime, takime, konferenca dhe të ngjashme.
Hiqet edhe detyrimi për sigurimin e shërbimeve të rendit në operatorët ekonomikë, si posedimi i detyrueshëm i certifikatës ose vërtetimit për imunizimin, përkatësisht dy dozave të pranuara të vaksinës kundër COVID-19 ose kalimin e sëmundjes së Kovid-19 në 180 ditët e fundit, për të vizituar objektet gastronomike në ambiente të hapura. Në të njëjtën kohë, për pjesët e mbyllura mbetet detyrimi për posedimin e certifikatës për vaksinim ose për kalimin e sëmundjes. Vendimi qeveritar vjen në kushte kur, sipas raportit javor të Instituti për Shëndet Publik në periudhën nga data 21 deri më 27 mars, vazhdon zvogëlimi i numrit të të infektuarve dhe të hospitalizuarve me COVID-19.
