Botë
Lufta në Ukrainë, shenja shtensionimi pas negociatave në Stamboll
30.03.2022 11:00
Për herë të parë në pothuajse tre javë, Ukraina dhe Rusia folën drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në Stamboll...

Për herë të parë në pothuajse tre javë, Ukraina dhe Rusia folën drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në Stamboll. Diskutimet zgjatën rreth katër orë, me ndërprerje të herëpashershme.
Moska do t’i reduktojë në mënyrë të dukshme “aktivitetet e saj ushtarake” në Ukrainë në afërsi të Kievit dhe të Çernihivit, deklaroi zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin, pas bisedimeve në Stamboll, ku delegacionet u takuan për negociata paqeje. Në këmbim të garancive të sigurisë, Ukraina ofroi neutralitetin. Me këtë, Ukraina nuk do të anëtarësohej në asnjë aleancë ushtarake, thanë negociatorët pas negociatave në Stamboll. Veç kësaj, në Ukrainë nuk do të ketë baza ushtarake.
Përpara se të hyjë në fuqi një marrëveshje përfundimtare, në të gjithë territorin e Ukrainës duhet të ketë sërish paqe dhe të vendoset për një referendum për kushtet e një marrëveshjeje me Rusinë. Si garante për respektimin e sigurisë mund të shërbenin Turqia, Izraeli, Polonia dhe Kanadaja. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, qeveria e tij do ta shqyrtojë çështjen “në mënyrë rrënjësore”. Kombet e Bashkuara duan të angazhohen për një armëpushim humanitar.
Që nga pushtimi rus i Ukrainës, sipas presidentit ukrainas Zelenski janë vrarë në luftë 20.000 vetë. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 3.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina. 6.5 milionë persona të tjerë janë në arrati brenda vendit. Qeveria e Kievit është veçanërisht e shqetësuar për situatën në Mariupol, në jug të vendit. Blloqe të tëra lagjesh atje janë zhdukur, në një nivel shkatërrimi që nuk ishte parë më parë në qytetin e rrethuar ukrainas. Sipas të dhënave të Ukrainës, në këtë qytet të rrethuar nga trupat ruse janë vrarë të paktën 5000 vetë. Situata humanitare cilësohet si “katastrofike”. Kryetari i bashkisë së Mariupol vlerësoi se deri të hënën në qytet kanë mbetur 160 000 banorë.
