Maqedoni

Komisioni për Anti-korrupsion: Duhet më shumë transparencë e llogaridhënie

30.03.2022 14:24

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në vitin 2021 ka formuar 753 lëndë kundër funksionarëve politik...

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit në vitin 2021 ka formuar 753 lëndë kundër funksionarëve politik dhe të tjerë të cilët janë të obliguar të dorëzojnë lista anketuese për gjendjen e tyre pronësore. Lëndët janë formuar pasi që ata nuk kanë dorëzuar të dhëna për gjendjen pronësore në fillim të mandatit dhe pas mbarimit të tij. Me këtë rast, Komisioni për Anti-korrupsion ka shqiptuar 85 gjoba për kundërvajtje.
 
“Në periudhën e njëjtë në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit janë dorëzuar 29 kërkesa për procedurë për kundërvajtje për shkak të mospagesës së gjobës.”,- tha anëtarja e Komisionit për Anti-korrupsion, Katica Nikollovska.
 
Janë kontrolluar edhe aktivitetet e 15 funksionarëve qeveritarë. Kontrolle të tilla janë realizuar edhe për gjykatës, kryetarë të komunave dhe kryetarë të bordeve drejtuese. Duke pasur parasysh nivelin e ulët të aktiviteteve dhe masave të planit aksionar dhe të strategjisë si dhe faktit se në disa sektorë nuk është regjistruar asnjë aktivitet, Komisioni për Anti-korrupsion kërkon të përforcohen mekanizmat kontrollues, por edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia institucionale për atë se çfarë është punuar në realizimin e masave.
 
“Rreziqet e përgjithshme brenda sektorëve nga korrupsioni edhe më tej janë furnizimet publike dhe mbikëqyrja inspektoriale, që ka të bëjë me të gjitha sektorët dhe ndikimi i tyre në shoqëri është më i madh. Më pastaj, punësimet në sektorin publik që janë të rëndësishme në nivel qendror dhe lokal ku rreziku në këtë sferë horizontale është shumë i lartë.”,- tha kryetarja e Komisionit për Anti-korrupsion, Biljan Ivanovska.
 
Shtatë institucione të rëndësishme nuk kanë realizuar asnjë aktivitet. Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, si dhe Ministria e Shëndetësisë janë jokoperative në kuptimin e dorëzimit të të dhënave për aktivitet e tyre. Çdo vit numri i paraqitjeve dhe lëndëve të cilat i punon Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit shënojnë rritje. Në vitin 2021 ka pasur 720 paraqitje, ndërsa me vetiniciativë të Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit janë  ngritur 84 lëndë, kurse vendime janë marrë për 675 lëndë. 
 
Këto konstatime u thanë gjatë shpalosjes së Raportit për punë të Komisionit për Anti-korrupsion për vitin 2021 dhe Raportit për Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Korrupsionit dhe konfliktit të interesave 2021-2025.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI