Maqedoni

ESHS shpalli rezultatet e regjistrimit 2021, RMV ka 2.097.319 banorë, 54.21% maqedonas e 29.52% shqiptarë

30.03.2022 14:53

Maqedonia e Veriut ka gjithsej 2.097.319 banorë, prej të cilëve 1.836.713 persona janë banorë resident...

Maqedonia e Veriut ka gjithsej 2.097.319 banorë, prej të cilëve 1.836.713 persona janë banorë resident. Enti Shtetëror i Statistikave publikoi rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave për vitin 2021. Struktura e popullsisë sipas përkatësisë etnike, konform këtij regjistrimi, rezulton se: maqedonas janë deklaruar 1 137 030 qytetarë ose 54.21%; shqiptarë janë deklaruar 619 187 qytetarë ose 29.52%. Pjesën e mbetur të popullsisë e përbëjnë turqit me 3.98%; romët me 2.34%; serbët me 1.18%; boshnjakët me 0.87%; vllehët me 0.44% dhe të tjerë, në mesin e të cilëve mbi 3.500 qytetarë janë deklaruar bullgarë.
 
Në 20 vitet e fundit, vendi ka humbur rreth 10% të popullsisë. 
 
“Janë konstatuar 207 vendbanime të boshatisura. Në nivel republike, krahasuar me të dhënat e vitit 2002, popullsia e përgjithshme ka rënë për 185 834 persona ose për 9.2%. Numri i amvisërive është rritur për 34 336 ose për 6.1%. Numri i banesave është rritur për 141 031 ose për 20.2%.”,- tha drejtori, Apostoll Simovski.
 
50,4% e popullsisë janë gra, kurse 49,6% janë burra. Sipas përkatësisë fetare 46,14% e banorëve janë deklaruar si të krishterë ortodoks, 32,17% si myslimanë, 0.37% si katolikë. Ndërsa pjesa tjetër janë deklaruar si protestantë, agnostikë, budistë e religjione tjera. Numri i personave të huaj të pranishëm në vendin tonë për më pak se 12 muaj është 1.674. Procesi i regjistrimit të popullsisë ka pasur edhe sfidat e veta. U realizua pas dy dekadash, në periudhë pandemie dhe përball një propagandimi kundër regjistrimit.       
 
“U përballëm edhe me sfidën e një bojkoti të fshehtë dhe public të aktiviteteve  të regjistrimit kjo u reflektua në numrin e kandidatëve të paraqitur për regjistrues dhe instruktorë rajonal për zbatimin e regjistrimit. E gjithë kjo deri diku ishte e parashikuar dhe ne i pritshim si sfida, por ajo që nuk e kishim parashikuar e që në fillim të aktiviteteve në terren vuri në pikëpyetje realizimin me sukses të regjistrimit ishin sulmet e hakerëve në aplikacionin e regjistrimit dhe në kanalet e komunikimit të ESHS.”,- deklaroi zëvendësdrejtori, Ilmi Selami. 
 
Në kuadër të Regjistrimit të popullsisë 2021 u mundësua që shtetasit e Maqedonisë, të cilët përkohësisht jetojnë dhe qëndrojnë jashtë vendit më shumë se një vit të vetregjistrohen. Këtë mundësi e  shfrytëzuan 258 932 bashkëqytetarë tanë prej të cilëve 66.42% janë deklaruar shqiptarë, 24.55% maqedonas, 4.78% turq dhe të tjerë. Kjo kategori e qytetarëve nuk bën pjesë në numrin e përgjithshëm të popullsisë rezidente. Kuriozitet është që në Maqedoni janë regjistruar 51 persona të moshës mbi 100 vjeç.
 
SHPËTIM NUREDINI