Regjistrimi i popullsisë, Ahmeti: I suksesshëm, pasqyrë e qartë e popullsisë

30.03.2022 15:50

Sfidë e rëndë që u përmbyll me sukses...

Sfidë e rëndë që u përmbyll me sukses, e vlerëson kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, procesin e regjistrimit. Ahmeti në rrjetin social facebook  shkroi se tanimë vendi ka pasqyrë të qartë për përbërjen e popullsisë dhe përqindjen e komuniteteve në vend.

“Shqiptarët janë 29.5% në popullsinë e përgjithshme dhe 24.3% në popullsinë rezidente, ndërsa në qytetin e Shkupit 22.8%. Përgëzoj të gjitha institucionet që ishin të përfshira dhe ndihmuan Regjistrimin si proces që filloi në muajin mars të vitit të kaluar me diasporën e vendit e që përfundoi në shtator me regjistrimin e popullatës në vend, proces dhe sfidë aspak e lehtë, por që ia dolëm ta përfundojmë me sukses.”,- ka shkruar Ahmeti në facebook.

Kuzeska: Pas 20 vitesh u realizua me sukses

Edhe nga LSDM të kënaqur që përfundimisht pas 20 viteve, regjistrimi u zhvillua në përputhje me të gjitha procedurat.

“Urojmë institucionet për profesionalizmin si dhe qytetarët që morën pjesë në operacionin më voluminoz statistikor.”,- shprehet Bogdanka Kuzeska - zëdhënëse e LSDM-së.

Grubi: Regjistrimi, me standardet e Eurostat

Edhe zëvendëskryeministri, Artan Grubi, ka vlerësuar se procesi i regjistrimit është realizuar me sukses. Grubi thotë se i gjithë procesi është realizuar duke u bazuar në standardet e Eurostat.

“Pas 20 vjetësh, më në fund realizuam edhe këtë operacion statistikor përmes një metodologjie të re të Eurostatit dhe me teknologji të re në mënyrë elektronike edhe përkundër debateve politike, obstruksioneve dhe sfidave. Të gjitha u tejkaluan dhe e realizuam me sukses Procesin e Regjistrimit të Popullsisë. Ka qytetarë të cilët nuk janë regjistruar, që sipas Eurostat është e zakonshme, por me rëndësi ky regjistrim mohoi të gjitha pretendimet politike dhe nxjerr në pah pasqyrën momentale të popullatës së përgjithshme në vend, diasporë dhe në komuna.”,- ka shkruar Grubi në Facebook.

Snopçe: Shifrat hedhin dyshime mbi besueshmërinë

Opozita me kundërvlerësime duke e cilësuar si jo të suksesshëm dhe të dyshimtë procesin. Aleanca për Shqiptarët thotë se shifrat janë joreale për popullsinë jorezidente, prej 12%, shtuar edhe përqindjen e atyre të evidentuar pa përkatësi etnike.

“Nuk mund që të vlerësohet si i besueshëm një regjistrim ku rreth 8.5% nga popullsia e përgjithshme rezidente, nuk u dihet përkatësia etnike.”,- tha deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.

Milloshovski: Regjistrimi, i pakompletuar

VMRO–DPMNE konsideron se për pasuksesin e procesit flasin shpërnguljet e shumta si dhe numri i personave të paregjistruar.

“Në pjesën e 7.2%, qytetarë të Maqedonisë, të cilët janë konfirmuar si prezent dhe nuk janë regjistruar, e bën regjistrimin jokomplet dhe konsiderojmë se pjesa më e madhe e atyre qytetarëve janë maqedonas.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE-së, Antonio Milloshovski.

Kërmov: Operacion politik i pushtetit

“E Majta” konteston rezultatet dhe mënyrën se si janë shpallur rezultatet në prezencën e korit diplomatik, duke e vlerësuar si përpjekje për të gjetur legjitimitet tek faktori ndërkombëtar.

“Ky regjistrim nuk ishte asgjë më shumë se sa një operacion politik i BDI-së i miratuar nga LSDM.”,- theksoi deputeti i “Së Majtës”, Borisllav Kërmov.

Besa: Shqiptarët ikën, pasojë politikat e këqija

Nga Lëvizja Besa thonë se një është e qartë se për 20 vite qeverisje të BDI–së, mbi 10% e shqiptarëve kanë lëshuar vendlindjen si pasojë e politikave të këqija. (Meral Ismaili, TVM2)