Kryqi i Kuq, ndihmë prej 5700 denarësh për 1000 familje
Për të tejkaluar pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike....

Për të tejkaluar pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike, Kryqi i Kuq, në bashkëpunim me MPPS-në, do të ndajë nga 5700 denarë për 1000 familje të cilat marrin ndihmë sociale minimale dhe kujdesen për një person të moshës 69 vjeçare. Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut, Sait Saiti, shpreson se me këtë projekt do të zbuten pasojat e krizës, atyre që më tepër kanë nevojë.
“Bëhet fjalë për një komponentë të projektit, i cili nënkupton asistencë për 1000 familje, të cilat në radhët e tyre kanë një person të moshës 69 vjeçare. Transferimi i të hollave ka filluar. I gjithë ky operacion realizohet në bashkëpunim me MPPS-në. Pritet që gjithë kjo të mbarojë më 31 janar. Mendojmë se kjo asistencë prej 5700 denarësh për një moment do t’ju gjendet familjeve, do t’ju mundësojë tejkalimin e asaj që nënkupton pasoja nga gjendja ekonomike në shtet.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq-RMV, Sait Saiti.
Ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovanka Trençevska, tha se me reformat sociale të cilat i ndërmori qeveria, krejtësisht është rritur mbështetja për kategoritë e rrezikuara të qytetarëve.
“Kjo qeveri miratoi pagën minimale, me të cilën dukshëm u rritën transferet të cilat nga buxheti i Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale shkojnë drejt qytetarëve tanë, të cilët janë pa të ardhura ose janë me të ardhura minimale. Me reformat sociale në vitin 2019 me miratimin e ndihmës minimale të garantuar u miratua edhe e drejta për shtesa për fëmijë, të cilën për momentin e marrin rreth 40.000 fëmijë.”,- tha ministrja për punë dhe politikë sociale, Jovanka Trençevska.
Ministrja Trençevska theksoi se krahas këtyre mjeteve, shteti në këtë periudhë krizash do t’u ndihmojë edhe pensionistëve me nga 1000 denarë, ndërsa theksoi se do të vazhdojnë me miratimin e masave që kanë për qëllim zbutjen e varfërisë. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
